Shqipëria vazhdon të i dalë në ndihmë Kosovës.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka thënë se prioritet mbetet kauza e shqiptarëve në rajon, të drejtat e shqiptarëve në rajon, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Preshevë.
Xhaçka potencoi se Kosova është duke u izoluar padrejtësisht, duke iu mohuar liberalizimi i vizave.
Këtë çështje ajo tha se e kanë në prioritet gjatë punës së tyre në Këshillin e Sigurimit.
“Është një çështje që e ngremë në çdo takim bilateral duke lobuar për njohje e për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është një çështje që e ngremë me forcë e pa u lodhur me BE dhe vendet anëtare duke denoncuar me forcë padrejtësinë që i bëhet Kosovës duke e izoluar në mes të Europës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Është një çështje që e kemi prioritet të punës tonë në Këshillin e Sigurimit ku po punojmë pa u lodhur jo vetëm për sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK në Këshill, por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende, si për shembull në Afrikë, ku procesi i njohjeve nuk ka ecur mbarë e ku ende duhet shumë punë”, tha ajo.
Xhaçka shtoi se “Puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën”.
“E vërteta padyshim s’është kjo sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim i cili sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët”, shtoi Xhaçka.