Ministrja e Mbrojtjes e Austrisë thotë se situata në Kosovë “është e paqëndrueshme”

15:47 | 25 December 2022

Austria thotë se situata në Kosovë “është e paqëndrueshme”.

Ministrja e Mbrojtjes e Austrisë, Klaudia Tanner, gjatë ditës së djeshme ka folur së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm Rudolf Striedinger përmes video-konferencës me komandantët në misionet e huaja të Forcave të Armatosura Austriake.

Ministrja u informua për situatën aktuale të sigurisë në vendet veç-e-veç ku shërbejnë ushtarët austriakë si dhe për misionet përkatëse të ushtarëve, siç thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ajo nuk humbi rastin për të përcjellë urimet e Krishtlindjeve për ushtarët.

“Në emër të Republikës, dua të falënderoj çdo ushtar për angazhimin e tyre dhe t’ju uroj të gjithëve Gëzuar Krishtlindjet me shokët tuaj”, u tha komandantëve ministrja Tanner.

Në këtë diskutim, ministrja Tanner vlerësoi se situata në Kosovë nuk është e qëndrueshme.

“Javët e fundit në veçanti kanë dëshmuar se situata në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e në veçanti në Kosovë, nuk është e qëndrueshme. Trazirat e përsëritura ilustrojnë se sa thelbësisht e rëndësishme është prania e organizatave ndërkombëtare dhe kontributi ynë austriak”, tha ministrja Tanner, raporton Klankosova.

Austria aktualisht ka 790 ushtarë të dislokuar jashtë vendit në 14 misione; nga të cilat 25 janë gra. Kontingjentet më të mëdha janë në Kosovë (KFOR, 314 persona), Bosnjë dhe Hercegovinë (EUFOR, 293 persona) dhe Liban (UNIFIL, 205 persona).

Komento: