Ministrja Gërvalla në SEECP: Republika e Kosovës është një punë e kryer dhe është një realitet – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ministrja Gërvalla në SEECP: Republika e Kosovës është një punë e kryer dhe është një realitet

23:23 | 17 Qershor 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në takimin e ministrave për Punë të Jashtme në kuadër të Forumit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që po zhvillohet në Antalia te Turqisë, tha se Republika e Kosovës është një realitet që duhet të pranohet nga të gjitha vendet.

Gërvalla ka theksuar se duke qenë dëshmitar të ndryshimeve të jashtëzakonshme e njëherit dhe historike në gjeopolitikë, është e rëndësishme që të intensifikohet bashkëpunimi dhe të mbështeten ato institucione të cilat mund të sigurojnë stabilitet dhe siguri në këto kohë të pasigurta.

“Me kënaqësi kemi ndjekur ngjarjet më të rëndësishme të ditëve të fundit, duke filluar me G7-ën, samitin e NATO-s dhe samitin e BE-së dhe SHBA-ve. Kërcënimet që G7, BE dhe NATO kanë identifikuar, janë saktësisht të njëjtat kërcënime me të cilat po përballemi edhe ne si rajon krahas pandemisë. Jam duke i theksuar këto çështje të sigurisë sepse kanë ndikim të drejtpërdrejt në potencialin tonë për zhvillim më të madh ekonomik dhe shoqëror”, ka theksuar ajo, transmeton Telegrafi.

Sipas Gërvallës nuk ka kërcënim më të madh për rimëkëmbjen ekonomike, investimet dhe projektet e së ardhmes, sesa pasiguria.

“Pandemia sapo na ka dëshmuar të gjithëve ndikimin e madh që ka mungesa e sigurisë në ekonomitë tona”, ka shtuar më tej ajo.

Ministrja Gërvalla ka potencuar gjithashtu faktin se Republika e Kosovës është një realitet që duhet të pranohet nga të gjitha vendet.

“Republika e Kosovës, siç e kemi thënë shumë herë, është një punë e kryer dhe është një realitet. Kosova është e njohur nga 22 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, dhe nga shumë më tepër vende anëtare të NATO-s, e të OKB-së. Pra, Kosova është një realitet që nuk zhbëhet dhe do të qëndroj gjithmonë. Andaj do të ishte një kontribut shumë i dobishëm, jo vetëm për stabilitetin e rajonit, por edhe për prosperitetin ekonomik të rajonit, nëse edhe ata që ende hezitojnë, do të vendosnin ta pranojnë ketë realitet”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Tutje ka nënvizuar faktin që qytetarët e Kosovës janë mbështetësit më të mëdhenj të NATO-s dhe BE-së në gjithë rajonin.

Teksa ka folur për Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, ajo ka nënvizuar se të rinjtë dhe të rejat e Kosovës janë përcaktuar për një Qeveri shprese që do të jetë e përkushtuar për sundim të ligjit.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për forcim të sundimit të ligjit dhe për bërjen e vendit tonë një vend anëtarë i respektuar dhe i besueshëm në familjen e kombeve të Evropës, si dhe një vend anëtar të besueshëm në NATO dhe BE. Ne e dimë që kjo nuk është një detyrë e lehtë. Por, ne nuk jemi këtu për tu ankuar për vështirësitë aktuale. Ne jemi këtu për të punuar shumë në mënyrë që të ndryshojmë situatën – për njerëzit tanë, për më të mirën për ta”, tha ajo.

Ndër të tjera ka thënë se Kosova e mbështet bashkëpunimin rajonal jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe duke promovuar vlera siç është demokracia, sundimi i ligjit dhe mundësitë e barabarta për të gjithë.

Komento: