Ministrja Gërvalla: Një Republikë serbe s’ka për të ndodhur në Kosovë

11:04 | 09 Maj 2023

Gërvalla: Një Republikë serbe s’ka për të ndodhur në Kosovë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nga ajo çfarë është parë në Bosnjë dhe Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje, një bllokim i funksionimit të vendit, nuk do të ndodhë në Kosovë.

Këtë komentë Gërvalla e bëri gjatë një konferencë të përbashkët me homologun e saj kroat, Gordan Grlic Radman, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ajo ka theksuar se asnjë lloj formacioni, Asociacioni, mekanizmi, nuk mund të implementohet në Kosovë nëse e shkel së pari sovranitetin e vendit, Kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës.

“Të gjitha modelet që kemi parë kemi konstatuar që Kushtetuta e Kosovës, minoriteteve të veta iu jep shumë më tepër të drejta se sa të gjitha modelet që kemi parë pasi që qoftë në përfaqësimin në kuvend, apo në nivelin lokal, është një element unik që ia jep Kushtetuta e Kosovës pakicave serbe në Kosovë. I kemi trajtuar modelet, i kemi parë cilat janë ato të cilat për ne nuk vijnë në shprehje sepse shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Çfarë kemi parë në Bosnjë e Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë”.

Gërvalla ka folur edhe për kritikat e Bashkimit Evropian karshi Kosovës. Ajo ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të njëjtat kritere të vlejnë edhe për Serbinë.

Komento: