Ministrja Gërvalla viziton qendrën “Linja e Jetës”: Të kërkosh ndihmë nuk është dobësi

21:15 | 15 Maj 2026
ministrja-gervalla-viziton-qendren-“linja-e-jetes”:-te-kerkosh-ndihme-nuk-eshte-dobesi

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar organizatën “Linja e Jetës”, qendrën e vetme në Kosovë për parandalimin e vetëvrasjes, e cila operon në baza vullnetare që nga viti 2019.

Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla vlerësoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të stafit dhe vullnetarëve të kësaj qendre, të cilët çdo ditë ofrojnë mbështetje emocionale dhe psikologjike për qytetarët në nevojë.

Në këtë drejtim, Ministrja Gërvalla cilësoi se shëndeti mendor kërkon vëmendje, kujdes dhe qasje reale në ndihmë, duke shtuar se të flasësh është hap, dhe të dëgjohesh është fillim.

“Falënderoj Drejtorin Ekzekutiv, Bind Skeja, si dhe të gjithë vullnetarët e kësaj qendre për pritjen e ngrohtë e sidomos për përkushtimin, përgjegjësinë dhe humanizmin që dëshmojnë çdo ditë në shërbim të jetës”, tha ajo.

Në fund, Ministrja Gërvalla përcolli mesazhin se të kërkosh ndihmë nuk është dobësi, andaj inkurajoi të gjithë ata që kanë nevojë t’i drejtohen për ndihmë “Linjës së Jetës”, çdo ditë nga ora 18:00 deri në ora 22:00.

Komento: