Ministrja Gervalla: Zoti të marroftë Skender Hyseni

23:49 | 22 November 2022

Ndaj komenteve të rënda të ish-ministrit Skender Hyseni ndaj Presidentes Osmani e Kryeministrit Kurti, ka reaguar edhe Ministrja e Jashtme, Donika Gervalla.

Këto komente, tha Gërvalla, shpërfaqin fytyrën e vërtetë të Hysenit, i cili sipas ministres, e ka futur Kosovën “në udhë pa krye”.

“Skënder Hyseni dhe plot të tjerë jo vetëm që e çuan LDK-në në 10%, por çdo ditë kujdesen që ta mbajnë të fundosur. E sa për Kosovën, e kanë treguar me kohë se sa vlerë ka për ta”, shkroi tutje ministrja Gërvalla në Facebook.

Në fund, ajo edhe e mallkoi Hysenin për këto komente të tij, të cilat Gërvalla i quajti të pafalshme.

“Zoti t’marroftë, Skënder Hyseni, për këto fjalë të pafalshme!”

Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, ka kritikuar ashpër dy liderët e shtetit, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Qasjen e Presidentes Osmani ndaj Shefit të Diplomacisë të BE’së, Josep Borrell, ku Osmani e akuzoi këtë të fundit për njëanshmëri, ish-ministri Skender Hyseni e ka krahasuar me qasjen e kahmotshme të Millosheviqit.

Ai tha se nuk pajtohet fare me këtë pikëpamje të Presidentes Osmani.

“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”, u shpreh Hyseni në TV1.

Komento: