Ministrja Hajdari heq taksën për bllokat e ndërtimit që importohen nga Serbia

22:40 | 29 July 2021

Ministrja e Ndërrmarrësisë, Rozeta Hajdari, e ka hequr taksën ndaj bllokave të ndërtimit të importuar nga Serbia, me arsyetimin se ka skaduar masa antidamping e vendosur para pesë vjetësh – ndonëse atë kohë vendimi nuk e parashihte një gjë të tillë.

Rozeta Hajdari, ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, ka hequr taksën për bllokat e ndërtimit që importohen nga shteti fqinj verior, Serbia.

Vendimi për largimin e masës mbrojtëse antidamping prej 0.02 eurove për bllokat standard 19x19x25, është marrë më 7 korrik të këtij muaji.

Dikasteri i udhëhequr nga minstrja Hajdari nuk ka dhënë asnjë sqarim për vendimmarrjen e fillim-korrikut kur është pyetur nga Insajderi.

Megjithatë, një përgjigje sqaruese për gazetën e ka dhënë Dogana e Kosovës, duke treguar se masa antidamping për mbrojtjen e prodhuesve vendorë të prodhimit të bllokave ishte vendosur më 7 korrik të vitit 2016-të.

“…ky vendim i marrë më datë 07.07.2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj, së fundmi Departamenti i Tregtisë duke u bazuar edhe në interpretimin ligjor nga Departamenti Ligjor në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht nenit 46, paragrafi 2 dhe nenit 47 paragrafit 5, 6 dhe 7 të Ligjit për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese, dhe pas konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19x19x25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohet”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

“Sipas nenit 46, paragrafi 2, “Çdo detyrim përfundimtar antidamping apo kundërbalancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij” si dhe nenit 47 paragrafit 7 “Masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet”, vazhdon tutje përgjigja.

Duke marrë parasysh këto, ministrja Hajdari e ka shfuqizuar vendimin e korrikut të 2016-ës, sepse më 7 korrik 2021 sipas afateve ligjore janë bërë pesë vjet prej zbatimit të kësaj mase.

Atë kohë, vendimi për masën mbrojtëse prej 0.02 euro ishte marrë bazuar në kërkesën e shoqatës së prodhueseve të materialit ndërtimor me bazë argjilore të datës 16.03.2016.

Pas marrjes së kërkesës Departamenti i Tregtisë kishte realizuar një hulumtim dhe në koordinim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe bazuar në nenin 48 të Ligjit mbi Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese më datën 07.07.2016 kishte rekomanduar dhe vendosur masën mbrojtëse antidamping prej 0,02€ për bllokat standard 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Kjo si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut dhe se importi i produkti në fjalë dëmtonte prodhuesit vendorë në Kosovë.

Megjithatë, Dogana thekson se aktualisht Departamenti i Tregtisë është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimorë me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia.

“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrë vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosë përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, sqaron Dogana, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas instuticionit që kontrollon importin dhe eksportin ne mallrave, prej heqjes së masës antidumping, importi i bllokave 19x19x25 nga Serbia ka qenë më i ulët se ai i muajit të kaluar.

“Vendimi ka hyre ne fuqi me date 7 Korrik 2021. Sipas te dhënave te Doganës edhe pse koha e tanishme është piku i sezonës se ndërtimit, importi deri me sot është pak më i ultë se ai i muajit të kaluar me sasi dhe vlerë”, përfundon përgjigja e Doganës për Gazetën Insajderi.

Komento: