Ministrja Hajdari: Kemi iniciuar padi ndaj shtëpisë botuese “Petit Fute”, për artikullin dëmtues ndaj Kosovës

22:57 | 19 October 2022

Hajdari: Kemi iniciuar padi ndaj shtëpisë botuese “Petit Fute”, për artikullin dëmtues ndaj Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se kanë përcjellur të Avokatura Shtetërore, padinë ndaj shtëpisë botuese “Petit Fute”, ku në një prej artikujve të publikuar thuhej se Kosova është vend ku lindën manastiret ortodokse serbe, shkruan Reporteri.

“Ashtu siç kemi deklaruar se do të ndjekim rrugët ligjore lidhur me publikimin dëmtues të Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ndaj Republikës së Kosovës, ndjej obligim moral të ju njoftoj se sot kemi përcjellur kërkesën me të gjitha provat për inicim të padisë, te Avokatura Shtetërore, si organ kompetent për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës në procedurat gjyqësore, të arbitrazhit dhe administrative”, njoftoi Ministrja.

Ajo sqaroi se ky inicim është bërë pasi kjo shtëpi botuese e ka shkelur marrëveshjen me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve-KIESA, duke mos e publikuar materialin promovues të dërguar nga ta mirëpo, në të kundërtën, tha Hajdari, “Petit Fute” kanë publikuar një material i cili ishte kundërshtuar në vazhdimësi.
Sipas Hajdarit, historia e Republikës së Kosovës është e qartë dhe atë nuk mund ta ndryshojë askush.

“Ne jemi të përkushtuar që ta mbrojmë të vërtetën e historisë sonë, në mënyrë që ta mbrojmë dhe të ardhmen tonë përpara”, ka shkruar tutje ajo.

Komento: