Hajdari thotë se MIT po merr masa për ngritje të çmimeve: Nuk ka vend për panik.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se është duke përcjellë me shqetësim ngritjen e çmimeve të disa produkteve bazë, gjë për të cilën ajo thotë se do të ndiqen penalisht bizneset që veprojnë kësisoj.
Ministrja gjithashtu është shprehur se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik.
“Me shqetësim kam pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale. Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal i postuar më poshtë” ka shkruar Hajdari në Facebook, bashkë me një kopje të nenit 295 për keqpërdorim të pozitës së monopolit.
Sipas Hajdarit, Qeveria ka prioritet mirëqënien e qytetarëve, teksa ka ftuar të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të ligjshme.
“I ftoj të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke u bazuar në konkurrencë të shëndoshë dhe në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe shtetit” ka thënë tutje Hajdari.