Ministrja Haxhiu e merr “vaksinën” kundër korrupsionit

10:34 | 09 December 2022

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) e ka zhvilluar një aktivitet simbolik për “vaksinimin kundër korrupsionit”.

Në këtë ngjarje është “vaksinuar” edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ka thënë se prioritet i qeverisë është lufta kundër korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi aktivitete të tilla që kanë për qëllim që të emancipojnë shoqërinë për pasojat që krimi i organizuar dhe korrupsioni sikurse edhe ata që kanë përgjegjësi në Qeveri dhe në institucionet tjera. Siç jeni në dijeni, njëra ndër prioritetet tona është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në këtë drejtim kemi marrë shumë veprime në fuqizim të paketës ligjore kundër korrupsionit”, ka thënë Haxhiu.

“Së pari Projektligji për parandalimin e korrupsionit dhe Projektligji për Byronë e Konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme e që para pak ditësh e kemi pranuar edhe opinionin e Komisionit të Venecias”.

Ajo ka njoftuar se do të udhëtojë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, për në Venecia për ta marrë këtë raport.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga IKD-ja, e ka vlerësuar punën e institucioneve në luftën kundër korrupsionit.

“Simbolika e këtij aktiviteti është ‘vaksinimi’ kudër korrupsionit dhe i formimi përmes llojeve dhe manifestimeve, për shkak se ka lloje të ndryshme të korrupsionit të cilat shpesh herë mund t’i hasim në përditshmëri. KDI vlerëson jashtëzakonisht shumë përpjekjet e Qeverisë për konsolidimin e kornizës ligjore për luftimin e korrupsionit në kuadër të secilës janë miratuar një gamë të gjerë ligjesh”, ka thënë Cakolli.

Komento: