Haxhiu i reagon Musliut: Gjuha ndaj presidentes është e papranueshme nga e cila duhet të distancohet partia.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të papranueshme dhe skandaloze gjuhën e deputetes së PDK-së Ganimete Musliu ndaj presidentes Osmani që i tha se ajo do të mbahet mend se “hyri në presidencë me 100 kg dhe do të dalë me 50 kg”.
Ministrja Haxhiu është shprehur se ndaj gjuhës së Musliut duhet të distancohet komplet partia e saj.
“Kjo nuk është thjesht gjuhë, kjo është dhunë dhe si e tillë duhet të cilësohet. Ky lloj mendimi nuk është mendim i lirë, por mendim dhunues”, shkroi Haxhiu.
Postimi i plotë i ministres Albulena Haxhiu:
Gjuha e sotme e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu ndaj Presidentes Osmani është manifestim i urrejtjes që shndërrohet në gjuhë seksiste nga dikush që në rrethana normale do të duhej ta luftonte atë. Kjo gjuhë është manifestim i mendimit, ndërkohë që pas saj ngelet vetëm veprimi.
Gjuha e sotme e Ganimete Musliut, që nuk është e para herë, është skandaloze, e papranueshme dhe nga e cila do të duhej të distancoheshin të gjithë duke nisur nga partia e saj. Aq më e rëndë kur kjo bëhet nga dikush që mbahet për përfaqësues dhe ka përgjegjësi publike.
Kjo nuk është thjesht gjuhë, kjo është dhunë dhe si e tillë duhet të cilësohet. Ky lloj mendimi nuk është mendim i lirë, por mendim dhunues.