Ministrja Haxhiu pas publikimit të përgjimeve: Vetingu është shumë i rëndësishëm

16:17 | 04 Gusht 2021

Haxhiu pas publikimit të përgjimeve: Vetingu është shumë i rëndësishëm.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dalë në një konferencë për media pas publikimit të përgjimeve në mediat online, ku përfshihen zyrtarë të ndryshëm të shtetit. Haxhiu ka thënë se përgjimet i ka përcjellë me vëmendje dhe se Vetingu është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

Kambanat për cënimin e drejtëisë po bien sërish disa vite pas aferës Pronto, u shpreh Haxhiu në konferencën e thirrur për media.

“Vetingu është shumë i rëndësishëm, për çka ministria e Drejtësisë është duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim. Ne kemi hartuar draftin e parë të concept dokumentit për Vetingun dhe pritet në fund të muajit gusht të miratohet në Qeveri”, tha ajo, transmeton Gazeta Express.

“Gjatë këtyre ditëve kemi përcjellë me vemendje publikimet nga përgjimet e lansuara në mediat sociale të cilat janë tronditëse për sistemin e drejtësisë, përkatësisht për sistemin prokurorial e gjyqësor….Të vetëdijshëm që për shumë vite zyrtarë të ndryshëm në instutucionet më të larta të drejtësisë kanë abuzuar me detyrën, rolin e përgjegjësitë….Jemi angazhuar parreshtur si qeverisje e re të ndërmarrim hapat e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin çdo herë brenda kompetencave të ministrisë, duke filluar nga majat e institucioneve për të sjellë rregull, drejtësi dhe dinjitet”, tha ajo tutje.

Haxhiu u shpreh se sistemi i drejtësisë së pari duhet të ketë njerëz me integritet moral e profesional, që i binden vetëm ligjeve, jo shantazheve e kërcënimeve.

Ndërsa, kur foli për publikimin e përgjimeve tha se flitet për nivele të larta të njerëzve, duke nisur nga kryeprokurori i shtetit.

“Bëhet fjalë për prokurorë, gjyqtarë, fliten emra që janë në nivele të larta, qoftë duke nisur nga kryeprokurori i shtetit”.

Komento: