Ministrja Haxhiu thotë se përkundër vështirësive, gratë e Kosovës dëshmuan se sa të forta janë

11:34 | 23 October 2022

Ministrja Haxhiu thotë se përkundër vështirësive, gratë e Kosovës dëshmuan se sa të forta janë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gratë në Kosovë pavarësisht vështirësive nëpër të cilat kanë kaluar, kanë dëshmuar fuqinë e tyre.

“Përkundër të gjitha vështirësive nëpër të cilat kanë kaluar gratë e Kosovës, na kanë dëshmuar në vazhdimësi se sa të forta janë, në mes nesh ka të tilla që gjatë gjithë këtyre dy dekadave pavarësisht përjetimeve gjatë luftës, na kanë treguar se sa e rëndësishme është të shikosh nga e ardhmja dhe të jesh zë i fuqishëm i përjetimeve të së kaluarës së popullit tonë”, ka thënë Haxhiu në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Sipas saj, gratë përmes politikës, teatrit e filmit kanë vënë në pah dhimbjen dhe pasojat e luftës, duke shtuar se kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm.

Në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, përfaqësimi i gruas dhe pjesëmarrja e saj është qenësore pasi kontributi i grave në Kosovë në gjithë këtë proces ka qenë dhe vazhdon të mbetet i pazëvendësueshëm. Gratë janë ato që kanë gjetur mënyra të ndryshme për të vënë në pah ndikimin, dhimbjen dhe pasojat e luftës, e kanë bërë këtë përmes aktivizimit, politikës, dhe filmit e teatrit…. Kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka shtuar ajo.

Kosova në dekadat e fundit ka kaluar nëpër procese shumë të rëndësishme që kanë qenë vendimtare për pavarësimin dhe funksionimin e saj si shtet, andaj sipas saj, këto nuk do të ishin të mundshme pa angazhimin, qëndrueshmërinë dhe rezistencën e grave.

“Përmes tyre kemi arritur të kuptojmë ndikimin që ka pasur lufta te to, te fëmijët dhe familjet e tyre, dhe shoqëria, pa guximin e tyre, rrëfimet e tyre, ne asnjëherë nuk do të kishim kuptuar pasojat e skajshme me të cilat janë përballur ato. Përmes filmit e teatrit kanë shfaqur dhimbjen nëpër të cilën kanë kaluar gjatë luftës , andaj një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e së kaluarës, është e pamundur pa përfshirjen e grave”.

Ajo tha se në Ministrinë e Drejtësisë në të gjitha iniciativat që lidhen me adresimin e krimeve të luftës, 60 për qind e anëtarëve janë vajza dhe gra.

Komento: