Haxhiu: Vetting do të bëjmë edhe në polici, MPB-ja ka formuar grupin punues.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin Ad-hoc ka marrë kërkesë nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, i cili tha se procesi i Vettingut është një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë, prandaj një të tillë e kërkoi edhe për sistemin e sigurisë.
Për këtë ministrja bëri të ditur se një Vetting për sistemin e sigurisë është në plan-program të kësaj Qeverie, duke thënë se me këtë është duke punuar Ministria e Punëve të Brendshme.
“Është më e lehtë dhe siç e dini ne e kemi në program edhe Vettingun në sistemin e policisë. MPB është duke punuar në këtë drejtim dhe rrethanat në Veri ka bërë që mos të dakordohemi më shumë në këtë proces. Është më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese”, tha ajo.
Ajo duke folur për sistemin e drejtësisë ka thënë se Vettingu është shtylla kryesore e funksionimit demokratik të një shteti.
Haxhiu, deklaroi se ky proces ka qenë ndër objektivat kryesore të kësaj Qeverie.
“Ne patëm kërkuar që ta kemi një opinion nga Venecia dhe opinioni i tyre ndonëse nuk e përkrah 100 për qind atë që e ka propozuar Qeveria për një Vetting të përgjithshëm zë sistemit të drejtësisë, ne megjithatë kemi marrë për bazë ato vërejtje”.
“Jemi pajtuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe e dimë që këto rekomandime nuk janë të obligueshme, ne e kemi bërë këtë, madje në seancën e Komisionit të Venecias ku u diskutua Projektligji për Byronë Kosovare të Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, morëm fjalë të mëdha nga komisionari, i cili deklaroi se Kosova është shembull i marrje së rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, tha Haxhiu
Kurse deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka pyetur nëse janë duke punuar në atë drejtim për të siguruar votat e deputetëve joshumicë për të votuar ndryshimet kushtetuese.
Kurse Haxhiu përgjigj duke thënë se “do të jetë sfiduese”, prandaj edhe kërkoi ndihma nga partitë opozitare dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ndryshe, të martën e 20 dhjetorit, është konstituar komisioni për Vetting.