Ministrja kosovare jep lajmin e keq për liberalizimin e vizave

09:12 | 26 Shkurt 2019

Rruga drejt liberalizimit është vështirësuar.

Kështu ka puhuar Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha,duke konfirmuar se rruga drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian është vështirësuar shkaku i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në maj të këtij viti. Ndërsa deputetët e opozitës thonë se heqja e vizave s’do të ndodhë as këtë vit.

Bashkimi Evropian po ua shuan shpresat kosovarëve për heqje sa më të shpejtë të vizave, pasi nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka kurrfarë lëvizje pozitive drejt liberalizimit.

Madje, rruga drejt liberalizimit vetëm sa u vështirësua në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen në maj të këtij viti.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pranuar për gazetën “Zëri” se rruga e Kosovës drejt liberalizimit është vështirësuar.

Sipas saj, heqja e vizave nuk varet nga institucionet e Kosovës, por nga shtetet anëtare të BE-së.

“Rruga drejt liberalizimit është vështirësuar, por ne nuk do të ndalemi së lobuari, pavarësisht se në maj do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Tashmë në këta dy-tre muajt është vështirë të jemi prioritet i deputetëve të Parlamentit Evropian, derisa ka filluar angazhimi në tërë BE-në për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, por puna jonë nuk do të ndalet”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se heqja e vizave nuk do të mundë të futet në rend dite pa u siguruar pëlqimi i shteteve anëtare të BE-së.

Komento: