Ministrja Nagavci pret që të mos ketë grevë në sektorin e arsimit

12:25 | 31 Gusht 2022

Nagavci: Pres dhe kërkoj të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që mos ta mbajnë grevën nesër në institucionet arsimore.

Ajo, në një konferencë për media, ka thënë se çdo i janë përgjigjur pozitivisht takimeve me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, duke shtuar se kanë punuar dhe janë duke punuar çdo herë për të plotësuar kërkesat dhe nevojat e mësimdhënësve.

“Nuk mund të rri pa përmendur grevën e shpallur nga BSPK-ja, edhe pse kjo grevë është shpallur dhe është deklaruar për të gjithë shërbyesit civile, e njëjta nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet shtetërore”.

“Andaj, unë pres dhe kërkoj të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit, e sidomos në çerdhe e shkolla ku fëmijët presin 1 shtatorin të fillojnë mësimin. Në mandatin tim si ministre janë përfshirë pothuajse të gjitha kërkesat që kanë qenë për mirëqenien dhe sigurinë e stafit arsimor”, ka thënë Nagavci.

Komento: