Ministrja Rizvanolli flet nga KEK-u: Blloku A3 u kthye në punë para afatit, A4 kthehet në tetor – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ministrja Rizvanolli flet nga KEK-u: Blloku A3 u kthye në punë para afatit, A4 kthehet në tetor

17:32 | 20 Shtator 2022

Rizvanolli në KEK për t’i parë remontet: Blloku A3 u kthye në punë para afatit, A4 kthehet në tetor.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot Termocentralin Kosova A në KEK. Ajo tha se blloku A3 është kthyer në punë para afatit, derisa njoftoi se blloku A4 pritet të kthehet në operim në ditët e para të tetorit, raporton Express.

“E vizituam Termocentralin Kosova A. Falenderoj të gjithë punëtorët, drejtorët e të gjitha niveleve që na pritën sot këtu, por më shumë se kaq falënderoj të gjithë ata që ditë e natë janë duke punuar me zellin dhe vullnetin më të madh që ne të kemi furnizim sa më të mirë me energji elektrike gjatë këtyre ditëve të vështira për shkak të krizës energjetike që e ka kapluar gjithë Evropën dhe Kosovën. Ne e kishim planifikuar vizitën qysh prej të premtes, sepse dëshironim të vinim të shohim se si është situata, se si po shkojnë riparimet edhe remonti kapital në bllokun A4 edhe riparimet pas rënies së befasishme të bllokut A3.

Dhe ne u befasuam për së miri, kur sot dëgjuam në mëngjes që blloku A3 është rikthyer falë punës së pandalur dhe gjatë gjithë natës dhe ditës të punëtorëve dhe udhëheqësve të njësive. Për këtë jemi pafundësisht falënderues. Çdo megavat orë që e prodhojmë, në ditët e sotit do të thotë shumë, do të thotë është e paçmueshme dhe puna e këtyre punëtorëve dhe udhëheqësve të tyre është absolutisht puna më e vlefshme që dikush mund të bëjë në Republikën e Kosovës. Prandaj ne jemi këtu për t’i falënderuar ata dhe secili prej nesh duhet të jetë falënderues dhe të çmojmë punën që po bëjnë, në mënyrë që të na sigurojnë siguri të furnizimit sa më të mirë gjatë këtyre ditëve të vështira. Siç u informuam edhe direkt nga stafi, njësi A4 pritet të kthehet në operim më së largu në ditët e para të tetorit, mirëpo punëtorët dhe udhëheqësit janë duke bërë gjithçka që është e mundur që kjo kohë të shkurtohet edhe më tej, siç është shkurtuar koha e kthimit të A3-shit, e cili fillimisht ka qenë e paraparë që të kthehet pas dy ditësh, por është kthyer sot”, tha Rizvanolli para mediave.

“Është një fakt tanimë i ditur që Evropa po kalon në një situatë, në një krizë të paprecedentë energjetike, e cila është vështirësuar edhe më tej për shkak të luftës në Ukrainë dhe që ne si shtet varemi kryekëput prej disa faktorëve, njëri është niveli i prodhimit të KEK-ut dhe siguria e furnizimit që na ofron KEK-u. Mirëpo, ne në një masë varemi dhe do të ndikohemi edhe nga çmimet e importit, në masën që ne kemi nevojë për import. Andaj është tejet e rëndësishmë që secili prej nesh të bëjë maksimumin që të mundohemi të ulim sa më shumë konsumin e energjisë elektrike, sepse kjo do të mundësojë një furnizim më të rregullt dhe do të mundësojë në një masë edhe ndryshimin eventuale në çmimet e energjisë. Kemi filluar me masa detyruese të kursimit për sektorin publik duke konsideruar që ne si institucionet duhet të jemi shembull për kursim të energjisë duke u siguruar që ndriçimi që përdorim është led, eficient, duke u siguruar që secili prej nesh i fikim pajisjet e dritave atëherë kur nuk na duhet, etj. Shpresojmë dhe lusim qytetarët dhe bizneset të njëjtjën ta bëjnë edhe ata”, tha ministrja e Ekonomisë.

Komento: