Rizvanolli kërkon zgjatjen e masave emergjente: Kemi ulje të konsumit të energjisë prej gjashtë përqind.
Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.
Gjatë prezantimit të vendimit të qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se këtë vit ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për 6 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Ministrja Rizvanolli tha po ashtu se nëse vazhdon rënia e konsumit, kriza e energjisë do të tejkalohet më lehtë gjatë dimrit të ardhshëm.
Megjithatë, ajo tha se situata me energji do të vazhdojë të mbetet e ndjeshme ndaj krizës energjetike.
“Situata me furnizim me energjie elektrike do të vazhdojë të mbetet e ndjeshme ndaj krizës energjetike. Ne gjatë kësaj kohe kemi ndërmarr disa veprime e masa për të ndihmuar qytetarët për të tejkaluar krizën energjetike më lehtë… Një lajm pozitiv, është që tanimë krahasuar me vitin e kaluar kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike mbi 6 për qind gjatë periudhës janar-shtator 2022, krahasuar me vitin paraprak që është një trend pozitiv, i cili nëse vazhdon do të na ndihmojë në kalimin më të lehtë të krizës energjetike gjatë këtij dimri ku do të kursejë xhepin e konsumatorit ashtu edhe buxhetin e shtetit. Gjithashtu për të na mundësuar që të jenë në fuqi vendimet që janë marrë në kuadër të masave emergjente, dhe për të mundësuar që të ndërmerren edhe masa të tjera në varësi të situatës në kohëzgjatje të duhur për t’iu përgjigjur situatës në muajt në vijim, ju lus që ta votoni vazhdimin e masave emergjente për furnim me energji për 30 ditë ”, theksoi ajo.