Ministrja Rizvanolli: Nuk përjashtohet rritja e çmimit të rrymës pas uljes së temperaturave

13:25 | 01 November 2022

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave.

Rizvaolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi theksoi se sasia e peletit që prodhohet në Kosovë është e përballueshme për konsumin e brendshëm.

“Siç e dini gjatë muajve të verës disa njësi të termocentraleve kanë qenë në remont dhe për pasojë kapacitetet tona nuk kanë mundur ta mbulojnë kërkesën. Pas kësaj është marr vendimi për shpalljen emergjente me rrymën. Duke qenë se situata nuk pritet të stabilizohet, mirëpo pritet që të vështirësohet gjatë muajve të dimrit, duke qenë se bien temperaturat e konsumi të rritet, me gjithë gjatë dy javëve te fundit kemi parë një ulje të çmimit në tregun evropian, por kjo do të jetë e përkohshme”, tha Rizvanolli.

Po ashtu, ajo ka shtuar se sasia e peletit në vend është e përballueshme dhe se kjo do të ndikoj tek ata që e përdorin këtë lëndë për ngrohje.

“Sasia e peletit që prodhohet është e përballueshme, por një pengesë ka qenë sigurimi i lëndës së parë, mirëpo pjesa që prodhohet në Kosovë mund të ndikoj në uljen e presionit në çmim dhe kjo mund të bëhet posaçërisht mund të bëhet me masat e jashtëzakonshme në treg që do të na mundësonte që ta vendosim një çmim tavan, apo marzhë të fitimit dhe do ta bënte që peleti që prodhohet në vend të mos shitet disa fish më shtrenjtë se sa kostoja e prodhimit, gjë që është duke ndodhur”, shtoi ajo.

“Konsideroj se kjo do të kishte ndikim të madh te qytetarët që shfrytëzojnë peletin apo që janë duke e konsideruar përdorimin e tij gjatë dimrit, mirëpo për shkak të çmimit e kanë të pamundur ta bëjnë këtë”, përfundoi Rizvanolli.

Pa votat e opozitës, Komisioni miratoi vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furizimit me energji elektrike. Me propozimin e VV, ky vendim të shqyrtohet në seancën e 8 nëntorit.

Komisioni gjithashtu miratoi Projektligjin së bashku me amendamentet për masat e përkohshme të produkteve bazike në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ky Projektligj ishte miratuar në lexim të parë javën që shkoi në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara.

Komento: