Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq së bashku me bashkëpunëtorët e saj ka përcjellë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të korrje-shirjeve në Komunën Graçanicës.
Me këtë rast, ministrja Zhiviq ka uruar fermerët për korrje shirje të mbara gjatë këtij viti dhe theksoi se gjithmonë do të jenë pranë fermerëve, në mbështetje të tyre, për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e tyre.
„Gruri së bashku me misrin janë kultura kryesore të bujqësisë dhe është me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për bujqësinë, por për tërë ekonominë e Kosovës. MBPZHR-ja edhe këtë vit do t’i përkrahë kultivuesit e grurit përmes subvencioneve me nga 150 euro per çdo hektarë të mbjellë“, ka thënë ministrja Zhiviq.
Ajo ka treguar se nga shuma totale e programit te subvencioneve që sivjet arrin në 25 milionë euro, për mbështetjen e drithërave të bardha janë ndarë 9.5 milionë euro, ndërkaq vetëm për kulturën e grurit 6.6 milionë euro.
Bazuar në statistikat e grumbulluara nga terreni, konstatohet se gjendja e sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha e në veçanti me grurë është e kënaqshme dhe nga 50,000 hektarë sipërfaqe të mbjella me grurë, pritet rendiment mesatar prej rreth 4000 kg për hektarë.
Ndryshe, afati për aplikim për programin e subvencioneve për grurë dhe kultura tjera bujqësore dhe grante investive do të jetë i hapur deri më 12 korrik 2019.