Ministrja Zhiviq pjesë e konferencës ndërkombëtare për bujqësi në Slloveni – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Ministrja Zhiviq pjesë e konferencës ndërkombëtare për bujqësi në Slloveni

17:13 | 23 Gusht 2019

Ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore me temën “Forcimi i gjeneratës dhe transferimi i njohurive për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale”, e cila po mbahet në Ptuj të Sllovenisë.

Kjo konferencë e cila po mbahet në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit, do të fokusohet në forcimin e sistemit të transferimit të njohurive dhe inovacionit në bujqësi me qëllim të përmirësimit të zhvillimit teknologjik të njësive bujqësore, prezantimit të teknologjive të reja dhe zvogëlimit të ndikimit në mjedis dhe në të gjithë zinxhirin ushqimor.

Ministrat e bujqësisë të vendeve anëtare të BE-së, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë për pranim në BE, gjatë diskutimit në këtë konferencë, do të shkëmbejnë mendime rreth asaj se si të ndihmojnë të rinjtë në fshatra për ta bërë mjedisin më miqësor, në mënyrë që më shumë të rinj të vendosin të jetojnë në zonat rurale dhe të punojnë si fermerë.

Gjatë kësaj vizite, Zhiviq do të marrë pjesë edhe në hapjen e Panairit të 57-të Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit (AGRA), e cila organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit e Sllovenisë, ku do të zhvillojë takime bilaterale me homologët e saj të shteteve pjesëmarrëse në këtë panair.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!