Ministrja Zivic e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin në bujqësi me USAID-in

17:04 | 12 April 2019

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zivic, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e projektit të USAID-it për bujqësi “AGRO”, më të cilët ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, në kuadër të këtij projekti.

Ministrja Zivic i ka njoftuar ata edhe me programet e ministrisë për zhvillimin e bujqësisë, si dhe për prioritetet për këtë vit, ku ka ritheksuar se do t’i japin prioritet kryesor efikasitetit në implementimin e programeve mbështetëse për fermerët dhe agrobizneset.

Ajo ka vlerësuar marrëveshjen e mirëbesimit për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në vend, e cila është nënshkruar vitin e kaluar në mes MBPZHR-së dhe Misionit të USAID-it, ku përmes kësaj marrëveshje është krijuar një program i veçantë për mbështetjen e zinxhirit të vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, ajo ka treguar për gatishmërinë e saj për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin me USIAD-in për implementimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të sektorit të bujqësisë.

Në anën tjetër, Besa Ilazi, përgjegjëse e programit “Agro” të USAID-it, e ka njoftuar ministren më gjerësisht për ecurinë e projekteve të përbashkëta, si dhe për rezultatet e arritura nga implementimi i projekteve bujqësore.

Komento: