Minneapolis merr vendimin ekstrem: Shpërndahet departamenti i policisë!

11:20 | 08 June 2020

Këshilli bashkiak i Minneapolis-it njoftoi shpërndarjen e departamentit lokal të policisë, një lëvizje e jashtëzakonshme kjo mes protestave mbarë kombëtare që ka ngjallur vdekja e George Floyd-it.

9 prej 13 anëtarëve të tij deklaruan se “një model i ri i sigurisë publike me bazë komunitare” do të krijohet në qytetin ku zbatimi i ligjit është ndeshur me akuzat për racizëm. Kryebashkiaku Jacob Frey iu kundërvu më herët kësaj lëvizjeje, duke ngjallur reagimin e ashpër të turmave. Aktivistët që e kanë kërkuar një gjë të tillë prej vitesh, e quajtën lëvizjen “ një pikë kthese”.

Megjithatë, për analistët, qyteti tani duhet të përgatitet për një debat të gjatë dhe mjaft kompleks mbi policinë, ndësa mbetet ende e paqartë plotësisht sesi do të funksionojë sistemi i ri.

Vdekja e 46-vjeçarit George Floyd ngjalli një valë protestash masive kundër racizmit dhe brutalitetit të forcave të rendit. Një grup demonstruesish u mblodhën të shtunën jashtë shtëpisë së kryebashkiakut të Minneapolis-it, Jacob Frey për të kërkuar që departamenti i policisë të shpërbëhet, duke e akuzuar atë për racizëm dhe për trajtim të ashpër të personave të dyshuar afrikano-amerikanë.

“Nuk duhet të kishin ndodhur aq shumë vdekje që ne të arrinim këtu,” tha Candace Montgomery, drejtuese e Black Vision që organizoi tubimin jashtë shtëpisë së kryetarit.

“Ne jemi më të sigurt pa patrullime të armatosura, që nuk i japin llogari askujt, të mbështetura nga shteti që gjuan afrikano-amerikanët,” shtoi ajo.

Komento: