Ministria e Punëve të Jashtme mohon pretendimet e Serbisë në lidhje me ‘çnjohjen’ e Kosovës.

23:13 | 20 Dhjetor 2018

Këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, Fatmir Haxholli, ka shkruajtur një deklaratë në Facebook si kundërërgjigje ndaj pretendimeve të Serbisë në lidhje me tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Ai ka shpjeguar se Republika e Kosovës, ka 116 njohje dhe ato nuk mund të tërhiqen.

Çështja e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike me këto vende, është çështje e cila mund të ndryshojë.

“Është e thjeshtë, njohja mund të vijë si rezultat i vullnetit politik të një vendi, por në momentin e deklarimit ajo prodhon efekte juridike, jo vetëm mes vendeve që japin dhe e pranojnë njohjen, por edhe para ligjit ndërkombëtar.

Në raport me ligjin ndërkombëtar, si kredenciale të subjektivitetit të saj, Republika e Kosovës ka pranuar 116 njohje, dhe ato nuk mund të tërhiqen. Çështja e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike me këto vende, është çështje e cila mund të ndryshojë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në lidhje me debatin në rritje për temën e njohjeve dhe propagandën e Serbisë duke shfrytëzuar konceptin e ashtuquajtur ‘çnjohje’, sikur e kam thënë, ky koncept, term, e akt, nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe si e tillë çnjohja mes shteteve nuk ekziston.

Konventa e Montevideos e vitit 1933 në lidhje me të “Drejtat dhe Detyrime e Shteteve”, Artikulli 6-të i saj e thekson qartë që “Njohja e një shteti përgjithësisht nënkupton që shteti i cili e ka njohur një shtet e pranon personalitetin/subjektivitetin e tjetrit (shtet), me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara nga ligji ndërkombëtar.Njohja është e pakushtëzuar dhe e parevokueshme”, mbaron citati.

Është e qartë që ndonëse kjo Konventë nuk buron nga kontinenti evropian i cili konsiderohet djep i së drejtës ndërkombëtare, ajo përdorët gjerësisht si burim autentik i së drejtës ndërkombëtare, veçmas për faktin se i referohet qartë asaj se çfarë përbënë personalitetin/subjektivitetin e një shteti, sikurse janë popullata e përhershme, territori i definuar, qeveria apo kapaciteti për të hyrë në marrëdhënie me shtete tjera.

Kushto që pretendon që njohja është akt politik, i ngatërron marrëdhëniet ndërkombëtare me ligjin, apo të drejtën ndërkombëtare.

Kushto që pretendon që njohja është vetëm vullnet i brendshëm politik, i cili mund të ndërrojë nga stina në stinë, po ashtu i ngatërron marrëdhëniet diplomatike me ligjin ndërkombëtar.

Është e thjeshtë, njohja mund të vijë si rezultat i vullnetit politik të një vendi, por në momentin e deklarimit ajo prodhon efekte juridike, jo vetëm mes vendeve që japin dhe e pranojnë njohjen, por edhe para ligjit ndërkombëtar.

Në raport me ligjin ndërkombëtar, si kredenciale të subjektivitetit të saj, Republika e Kosovës ka pranuar 116 njohje, dhe ato nuk mund të tërhiqen.

Çështja e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike me këto vende, është çështje e cila mund të ndryshojë. /Lajmi.net/

Komento: