MINT-i: Artikulli në revistën franceze as s’u pagua as s’u aprovua nga KIESA

11:40 | 08 October 2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar pas publikimit të artikullit në revistën franceze “Petit Fute” ku Kosova cilësohet si “tokë bizantine ku lindën manastiret ortodokse serbe”.

Kjo ministri thotë se ky artikull nuk është paguar nga ta – ashtu siç ka deklaruar dje partia opozitare PDK – dhe nuk është versioni të cilin KIESA (Agjencia për investime dhe përkrahje të ndërmarrjeve në Kosovë) e ka dërguar tek kjo shtëpi botuese.

“Në këtë rrethanë të krijuar në dëm të historisë sonë të lashtë kombëtare, me publikimin e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të paaprovuar dhe papaguar nga MINT- KIESA dhe duke shtrembëruar tërësisht historinë tonë kombëtare, përkundër kërkesës sonë për korrigjime dhe premtimit nga Shtëpia Botuese “Petit Fute”, për editim dhe dërgim për aprovim të tekstit nga KIESA, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore për të adresuar dëmin e krijuar”, thuhet në reagim.

Kjo ministri ka sqaruar se KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Kosovës më 9 gusht të vitit 2022, derisa thotë se ky tekst nuk përmbante asgjë nga shkrimet e publikuara.

Po ashtu thotë se me 18 gusht kanë pranuar një version tjetër nga “Petit Fute” për të cilin MINT thotë se ka qenë i ndryshuar tërësisht për çka ka reaguar KIESA dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë të datës 9 gusht.

“Në komunikim me përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese “Petit Fute” të datës 09.08.2022, KIESA ka dërguar dokumentin informues për potencialet e Republikës së Kosovës për tu publikuar në katalogun e ‘’Petit Fute”. Teksti i vetëm i dërguar nga KIESA tek shtëpia botuese “Petit Fute” është i hapur për publikun dhe nuk përmban asgjë nga shkrimet e publikuara në faqet 94 dhe 95 të katalogut të publikuar nga shtëpia botuese ‘’Petit Fute’’.

Me datën 18.08.2022, Shtëpia Botuese “Petit Fute” ka dërguar një verzion tjetër të dokumentit promovues të KIESA, për të cilin ka kërkuar komente. Me datën 19.08.2022, KIESA ka reaguar për draftin e ndryshuar tërësisht duke ia rikujtuar Shtëpisë Botuese që, materiali i dërguar nga “Petit Fute” nuk mbështetet aspak në tekstin e dërguar nga KIESA, si dhe ka ridërguar tekstin e njëjtë në bashkëngjitje të dërguar me herët me datën 09.08.2022”.

“Më 28.09.2022, KIESA ka refuzuar publikimin final të dokumentit në fjalë dhe iu ka kërkuar Shtëpisë Botuese “Petit Fute” që para çdo publikimi të ndonjë artikulli të merret aprovimi nga KIESA. Përkundër kësaj, Shtëpia Botuese “Petit Fute” nuk ka dërguar artikullin me korrigjimet e nevojshme për aprovim dhe pagesë nga KIESA, ndonëse i ishte premtuar se teksti do të korrigjohet dhe editohet sipas tekstit origjinal të dërguar nga KIESA”.

MINT-i ka treguar gjithashtu se bashkëpunimi mes KIESA-s dhe Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ka nisur në vitin 2016 në qeverisjen e kaluar, dhe ka vazhduar në shkurt të 2022-ës në këtë qeverisje.

“Bashkëpunimi në mes ish Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – KIESA dhe Shtëpisë Botuese “Petit Fute” ekziston që nga data 11 shkurt 2016, me nënshkrim të marrëveshjes në mes dy palëve për mbështetjen e hartimit, dizajnimit, shtypjes dhe publikimit të 1,500 kopjeve të broshurës për atraksionet turistike në Kosovë, të përshtatura për turistët francezë”.

“Në qeverisjen e tanishme, me datën 9 shkurt 2022, përmes një komunikimi zyrtar nga Shtëpia Botuese “Petit Fute” janë kontaktuar Departamenti i Industrisë dhe më pastaj KIESA, në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit për promovimin e kapaciteteve turistike të Kosovës në Francë. KIESA ka vazhduar komunikimin direkt me Shtëpinë Botuese “Petit Fute” dhe ka konfirmuar marrëveshjen e bashkëpunimit për promovimin e aktiviteteve potenciale të turizmit në Kosovë”.

Kujtojmë se revista franceze “Petit Fute” ka publikuar një shkrim për promovimin e Kosovës thuhej se Kosova ishte tokë bizantine ku lindën manastiret ortodokse serbe.

“Kosova ka pritur shumë popuj dhe ushtri në tokën e saj, që nga fiset paleo-ballkanike të epokës së neolitit e deri te ushtarët amerikanë të NATO-s. Ishte gjithashtu një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”, shkruan në artikullin e kësaj reviste, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa ishte deputeti Abelard Tahiri i cili këtë çështje e ngriti në seancën e djeshme ku tha se për artikullin është vënë në dijeni nga një mërgimtar nga Franca.

“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkëqytetar nga Franca, ku më tha se e ka parë një revistë ku thuhet se Kosova është tokë bizantine dhe vendi ku lindën manastiret e kishës ortodokse serbe”, ka thënë Tahiri, transmeton Klankosova.

Më vonë zyra për media e PDK-së e ka lëshuar një shkrim ku e quajti skandaloz artikullin e publikuar në revistën franceze.

“Qeveria e Kosovës e ka sponsorizuar një artikull në revistën e njohur franceze ‘Petit Fute’ si vend ku lindën manastiret ortodokse serbe. Në këtë artikull të sponsorizuar nga Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve (KIESA) Kosova paraqitet si vend i lashtë, por nuk kuptohet qëllimi i qeverisë e cila në këtë artikull të sponsorizuar e paraqet Kosovën vend ku lindën kishat ortodokse serbe”.

Komento: