
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke thënë se reforma e shumë pritur do ta riorganizojë KPK-në me eliminim të korporatizimit dhe grupeve klanore, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se ndryshimet e votuara sot në lexim të dytë në Kuvend, janë bërë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Pas një maratone të shoqëruar me jo pak sfida e pengesa, më në fund votohet versioni i ri i ndryshimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Reforma e shumëpritur, do ta ri-organizojë Këshillin Prokurorial – me eliminim të korporatizmit dhe grupeve klanore në Këshill, e me rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizmit në sistem.
Ndryshimet e votuara sot në lexim të dytë në Kuvend, janë bërë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, shkroi ajo.