Me 19 maj do të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja Valdete Daka.
Në këtë mbledhje, siç njofton komunikata, KQZ mori disa vendime në kuadër të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sloganin për zgjedhjet që do të mbahen në këto katër komuna, “Vota juaj. Ardhmëria juaj”.
Po në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për çregjistrimin e katër partive politike dhe shfuqizoi pezullimin për tri parti tjera politike. Sipas vendimit të KQZ-së partitë e çregjistruara janë: Partia e Ballit (PB); Partia e Fortë (PF); Aktivna Gradanska Inicijativa (AGI); dhe Savez Nezavisnih Socijaldemokrata (SNSD). Këto parti politike nuk kanë dorëzuar të dhënat e ndryshimeve vjetore as pas afatit shtesë.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të shfuqizuar pezullimin e tri partive politike: Partia Demokratike e Unitetit (PDU); Crnogorska Liberalna Stranka (CLS) dhe Nova Partija Kosova (NPK). Sipas vendimit të KQZ-së, këto parti politike kanë dorëzuar përditësimin e të dhënave vjetore në afatin shtesë.