Lajçak për raportet Kosovë-Serbi: Ka mos-besim si kurrë më parë, marrëveshja më së largu në mars.
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se heqja e barrikadave e ka zgjidhur problemin, por tensionet mbesin ende të larta. Ai gjithashtu ka thënë se marsi është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se niveli i mos-besimit është më i lartë se kurrë më parë.
“Besoj që e ka zgjedhur problemin, por tensionet mbesin ende të larta. Niveli i mos-besimit është më i lartë se kurrë më parë”, ka thënë Lajçak për Politico, transmeton Gazeta Express.
Lajçak ka kërkuar që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër.
“Ajo që është e rëndësishme tani, është që të mos lejohet rrëshqitja prapa në një tjetër krizë, dhe është e rëndësishme për liderët në Kosovë dhe Serbi që të nisin ta krijojnë një atmosferë të përshtatshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë diplomati evropian, i cili po punon bashkë me SHBA-në dhe NATO-n në kuadër të përpjekjeve diplomatike mes mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se përpjekjet nuk do të ndalen, duke thënë se muaji mars i vitit 2013 është afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje.
Politico ka shkruar se bashkësia ndërkombëtare është duke ndjerë një urgjencë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen ballkanike, duke marrë parasysh nevojën e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit në mënyrë që ta largojë nga BE.
Megjithatë, sipas vlerësimit të mediumit, në këto rrethana, marrëveshja finale duket larg.