Lajçak do takim Kurti-Vuçiq brenda javësh: Deri në mars do ta shohim ku jemi.
Diskutimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të nisin brenda javësh, tha emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta Express.
Nuk ka nguti, por Lajçak tha se duhet të shfrytëzohet ky “moment pozitiv” për të nisur diskutimet e nivelit të lartë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai tha se brenda javësh duan një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“S’ka më kriza. Ne mund ta diskutojmë thelbin dhe pikërisht kjo është arsyeja pse unë jam këtu, për ta kthyer diskutimin tonë për çështjen e normalizimit dhe për t’i diskutuar hapat e ardhshëm në këtë proces, i cili bazohet në dokumentin që e paraqita këtu më 9 shtator”, tha Lajçak.
Kur u pyet për marsin, e përmendur si afatin deri kur pritet të arrihet marrëveshja e madhe mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak tha se nuk është njeri i afateve.
“..Do të thoja që deri në mars ne do ta shohim ku jemi”, tha ai.