
Lajçak lajmërohet nga Parisi, diskuton për sigurinë në Ballkan me zyrtarët atje.
Sekretari i Shtetit francez për Çështjet e Europës, Clement Beaune, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Temë bisede e tyre ishte situata në Ballkan, e cila u cilësua si kyçe për sigurinë e Europës.
“Sot në mëngjes, pata një takim me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, për të folur për situatën në Ballkan, një çështje kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e Europës sonë”, ka shkruar Beaune.
Për çështjet rajonale të Ballkanit, për të cilat po ashtu është i ngarkuar, Lajçak së fundi ka qëndruar edhe në Gjermani. Atje ai ka folur për nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.