Zhvillimet në dialog, Lajçak takime me eurodeputetë, kërkohet zbatimi i marrëveshjeve.
I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar takime me eurodeputetët e grupit të socialistëve dhe demokratëve.
Lajçak përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka bërë me dije se me eurodeputetët ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialog si dhe Ballkanin Perëndimor.
“Jam mirënjohës për interesimin e tyre në rajon dhe mbështetjen për të ardhmen evropiane”, shkroi ai.
Edhe socialistët dhe demokratët kanë shkruar në profilin e tyre në Twitter për takimin me të dërguarin evropian me ç’rast njoftuan se kanë diskutuar për dialogun para takimit të 2 majit.
“Ne bëjmë thirrje për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e grupit.
Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi I radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Ky takim vjen pas atij të Ohrit ku palët u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëvëshjes Kosovë-Serbi.