Misetic: Avokati i Popullit dhe ekspertët britanikë po garantojnë të drejtat e njeriut në procesin ndaj Thaçit

17:40 | 11 Qershor 2026
misetic:-avokati-i-popullit-dhe-ekspertet-britanike-po-garantojne-te-drejtat-e-njeriut-ne-procesin-ndaj-thacit

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetic, ka reaguar publikisht pasi Gjykata Speciale ka bojkotuar raportimin e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe ekspertëve britanikë lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor në Hagë.

Përmes një reagimi, Misetic ka deklaruar se Avokati i Popullit të Kosovës dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit janë duke luajtur një rol jetik në ofrimin e garancive për respektimin e të drejtave të njeriut.

“E drejta për një gjykim publik është një gur themeli i jurisprudencës së të drejtave të njeriut. Mbikëqyrja nga publiku siguron llogaridhënie institucionale, duke i mundësuar publikut të monitorojë prokurorët dhe gjykatat, në mënyrë që shkeljet procedurale dhe materiale të mund të identifikohen dhe korrigjohen“, ka shkruar Misetic.

Në kuadër të këtij reagimi, avokati ka adresuar kritika edhe ndaj organizatave të njohura ndërkombëtare, si Human Rights Watch dhe Amnesty International, duke argumentuar se ato ndryshojnë qasje kur bëhet fjalë për procese në nivel ndërkombëtar.

Sipas Misetic, këto organizata, të cilat mbrojnë me vendosmëri të akuzuarit në nivel kombëtar, në rrafshin ndërkombëtar përfundojnë duke mbrojtur vetë institucionet, duke i lënë të pandehurit në proceset ndërkombëtare të izoluar dhe pa monitorim të jashtëm objektiv.

Avokati i Thaçit ka vlerësuar punën e institucionit të Avokatit të Popullit dhe të ekspertëve britanikë, duke thënë se ata po i japin kuptim konkret dhe zbatim real të drejtës për një gjykim publik në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

Komento: