Mjekët e QKUK-së bëjnë mrekulli, ja shpëtojnë jetën 27 vjeçarit nga Mitrovica

11:53 | 16 December 2018

Mjekët e QKUK-së janë treguar të suksesshëm duke ia shpëtuar jetën një personi.

27 vjeçari nga Mitrovica, R.M, ishte duke qëndruar në një biznes të familjes kur disa persona ishin futur me armë dhe kishin shkrepur 3 herë.

Një plumb e kishte marrë 27 vjeçarin në shpinë dhe i kishte dalë nga përpara, duke i shkaktuar plagë të rënda, shkruan gazetametro.net.

R.M ishte dërguar me ambulancë në Emergjencën e Mitrovicës, por nga aty ishte nisur për në QKUK, për t’iu nënshtruar operacionit të menjëhershëm. 27 vjeçari ishte buzë vdekjes, konfirmojnë familjarët.

Mirëpo, për fatin e tij të mirë në Emergjencën e QKUK’së e prisnin mjekë që, siç rezultoi në fund, do t’ia shpëtonin jetën. Mjekja kujdestare Preveza Abrashi, e kishte udhëhequr një ekip mjekësh për një operim të rëndë që zgjati 5 orë.

Ndonëse operacioni ishte i rëndë dhe i gjatë, mjekja Preveza Abrashi arriti t’ia shpëtonte jetën 27 vjeçarit, i cili tani ka një gjendje stabile, ani pse në kujdes intensiv.

Se ka qenë operacion i rëndë dhe me gjasa të vogla shpëtimi të viktimës, e thotë edhe vetë doktoresha Abrashi, e cila e ka komentuar këtë ngjarje në profilin e saj në Facebook.

“Pas një kujdestarie të rëndë, kur bëhet e pamundura që të shpëtohet jeta e një të riu, viktimë e njerëzve që mjet komunikimi kanë armët e zjarrit, fatkeqësisht. Lodhjen pak ta lehtëson operacioni i kryer me sukses… dhe një kafe e rëndë…”, ka shkruar natën e operacionit Abrashi.

Ndërkohë, ajo ka bërë të ditur se pjesë e një ekipi që bëri të mundur të shpëtohet jeta e të riut nga Mitrovica, ishin edhe doktorët Agron Beqiri, doktor Naser Osmani urolog si dhe doktor Lulzim Emini anesteziolog.

Ndryshe, familjarët e të plagosurit, kanë thënë se ndjehen falenderues ndaj ekipit të mjekëve në QKUK, e në veçanti mjekes kujdestare, Preveza Abrashi.

Komento: