Kosova drejt një vale të re të pandemisë, mjekët në ankth.
Punëtorët shëndetësorë shprehen se janë në ankth e në pritje të asaj se çfarë do të ndodhë me situatën me pandeminë në kohën kur vendi po rrezikohet nga një valë e katërt e COVID-19.
Ata kërkojnë ndihmë nga qeveria për ta menaxhuar rritjen e rasteve të reja të infektuara me COVID-19, e një valë të re të pandemisë. Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se çfarëdo që të jetë situata epidemiologjike, Kosova do ta menaxhojë atë, sepse nuk ka alternativë.
Njëmijë e tetë raste të reja të infektuara me COVID-19 janë regjistruar në 10 ditët e fundit në Kosovë, pa përfshirë të premten (sot), duke çuar numrin e rasteve aktive në 1 mijë e 65 nga 195 sa ishte më 27 korrik.
Me përhapjen e variantit Delta të COVID-19 në vend është paralajmëruar një valë e katërt e pandemisë në vjeshtë.
Njohës të shëndetësisë thonë se punëtorët shëndetësorë tashmë ndiejnë lodhje psikike dhe fizike, për shkak se që një vit e më shumë janë duke u ballafaquar me pandeminë.
Ata kërkojnë ndihmë nga qeveria në mënyrë që t’a menaxhojnë situatën me pandeminë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për Express se punëtorët shëndetësorë janë në ankth e në pritje të asaj se çfarë do të ndodh me situatën sa i përket pandemisë.
Ai është shprehur se nuk dëshirojnë të ballafaqohen edhe njëherë me situatën që janë ballafaquar para disa muajve.
Megjithëse, ai ka theksuar se ndonëse të lodhur, ata janë të përgatitur edhe për valën e katërt të pandemisë.
“Ne jemi në ankth, jemi në pritje. Është gjendje ankthi, një gjendje të cilën nuk po dëshirojmë të përsëritet pra mos të ballafaqohemi me atë situatë që jemi ballafaquar e sidomos me vdekjet. Ata(Punëtorët shëndetësorë) janë të lodhur, mirëpo është një e mirë që kemi fituar një përvojë se si të menaxhohet kjo punë nga aspekti medikamentoz. Pra gjendja psikofizike është e rënduar. Megjithatë ne do të ja dalim. Jemi të përgatitur për valën e katërt”, ka deklaruar ai.
Syla ka thënë se brengosëse është mungesa e barnave në kohën kur po ballafaqohemi me pandeminë.
E sipas tij, qeveria nuk po brengoset për mënyrën se si do të ballafaqohemi me një valë të re të COVID-19.
“Ajo çfarë është brengosëse është se nuk kemi barna. Qeveria nuk është duke u brengosur se si do të ballafaqohemi nëse vie vala e katërt. Unë apeloj edhe njëherë që të bëjnë të pamundurën. Ka me qenë vonë ai 60 për qindëshi që e kanë promovuar. I vetmi shpëtim është vaksinimi, tjetër nuk kemi. Nuk dua të shkaktoj frikë por nëse nuk vaksinohemi tani, mund të na vinë edhe mutacione tjera”, ka shtuar ai.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se çfarëdo që të jetë situata epidemiologjike, Kosova do ta menaxhojë atë.
Zëdhënës për informim në këtë ministri kanë deklaruar se në këtë drejtim, gjithmonë duhet bashkëpunim nga institucionet dhe qytetarët, në mënyrë që të ruhen edhe jetërat e qytetarëve.
“Çfarëdo që të jetë situata epidemiologjike Kosova do ta menaxhoj atë, sepse nuk ka alternativë tjetër. Por, gjithmonë duhet bashkëpunimi dhe kujdesi edhe nga institucionet edhe nga qytetarët, sepse zbatimi i masave dhe vaksinimi tani, mundëson që kostoja e menaxhimit të jetë më e lehtë, para së gjithash, për të ruajtur jetërat e qytetarëve”, është thënë nga MSH.
Përndryshe, nga kjo ministri kanë thënë se rreth 80 për qind e rasteve të reja pozitive me COVID-19 gjatë këtyre ditëve janë me variantin Delta.
Përkundër që nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të menaxhojnë situatën me pandeminë, anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu është shprehur skeptik në këtë drejtim.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Ministrinë e Shëndetësisë për procesin e ngadaltë të vaksinimit.
Ai ka thënë për Express se me këtë ritëm, Kosova mund të hyjë në sezonën vjeshtore me një numër të vogël të të vaksinuarve.
“Ka pasur një vetëkënaqësi nga ana e qeverisë, ndonëse kemi qenë dhe vazhdojmë me qenë vendi i fundit në Evropë në procesin e vaksinimit. Nuk ka pasur angazhim serioz, kanë pritur që vaksinat të sigurohen përmes donatorëve. Është një proces i ngadalshëm i vaksinimit, edhe premtimin që e ka dhënë për vaksinim masiv ka dështuar. Nëse vazhdon me këtë ritëm ne mundemi me hy në sezonën vjeshtore me numër të ulët të vaksinimeve, vetëm 8 për qind e qytetarëve janë të vaksinuar me dy doza, kjo është shumë pak para rrezikut nga varianti Delta”, ka shtuar Haxhiu.
Numri i rasteve të infektuara me COVID-19 është rritur së fundmi në Kosovë, andaj edhe infektologët kanë paralajmëruar një valë të katërt të pandemisë nga muaji shtator, nga kur edhe kanë thënë se do të rriten edhe më shumë shifrat e të infektuarve.
Me rritjen e numrit të rasteve të reja të infektuara me koronavirus është rritur edhe numri i rasteve aktive.
Prishtina prinë me numrin më të madh të rasteve aktive me gjithsej 217 raste, pastaj Gjilani me 110 raste, Ferizaj me 106, Gjakova me 79, Peja me 72 e Mitrovica me 56.
Ndërsa, edhe numri i pacientëve të hospitalizuar me këtë virus ka shënuar rritje së fundmi.
Në klinikat COVID të QKUK’së dhe spitalet e përgjithshme sot kanë qenë të shtrirë 112 pacientë, 72 prej të cilëve të konfirmuar pozitiv me COVID-19.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se 1 pacientë është në gjendje të rënduar, ndërsa 74 janë me oksigjenoterapi.
Kujtojmë që varianti Delta i COVID-19 i cili ka prekur rreth 80 për qind të rasteve të reja të infektuara me koronavirus në Kosovë, po përhapet me shpejtësi në shumë shtete.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.
Andaj, derisa ky variant po vlerësohet si më i rrezikshëm se variantet tjera, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shpejtë.