Greva 24 orëshe e mjekëve, pritej që të përfundonte këtë të enjte.
Por, indiferenca e Qeverisë së Kosovës ndaj këtyre kërkesave, ka shtyrë Federatën Sindikale të Shëndetësisë që këtë grevë ta vazhdojë edhe për 48 orë.
Për dallim prej ditëve të tjera kur korridoret e QKMF në Prishtinë janë të stërmbushura me pacientë që presin për të marrë shërbime shëndetësore këtë te enjte në këto korridore mund të shihej vetëm ndonjë mjekë të cilët po qëndrojnë në vendet e tyre të punës por nuk ofrojnë shërbime shëndetësore.
Pacientët janë kthyer prapa duke mbetur pa shërbime shëndetësore. Ata janë të detyruar që zgjidhje të bëjnë në klinikat private.
E nga kjo grevë nuk u kursyen as fëmijët, të cilët nuk arritën të marrin shërbimet mjekësore.
Kjo grevë një mjeku i ka kushtuar me sulm fizik. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zhegër të Gjilanit, një ditë më parë një person sulmoi mjekun pasi ai refuzoi t’ia kontrollonte vajzën, duke i sugjeruar atij që fëmijën ta dërgonte në Gjilan.
Sipas raportit të policisë, i dyshuari është arrestuar për sulm fizik dhe është dërguar në mbajtje.
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Bekim Kodra, thotë se ka rrezik që sulmet ndaj mjekëve këto ditë të shtohen.
Ai kërkon nga mjekët që ta ndërpresin grevën dhe t’i ndalin kërcënimet me mos-ofrim të ndihmës mjekësore.
Kërcënimeve për mosdhënie të ndihmës mjekësore, iu është përgjigjur edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka paralajmëruar hetime ndaj mjekëve, raporton KTV.
Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, nëpërmjet telefonit ka thënë se mosdhënia e ndihmës mjekësore është vepër penale, andaj kjo prokurori do t’i nisë hetimet në rast se evidentohen raste kur mjekët nuk kanë ofruar ndihmën mjekësore në rastet urgjente.
Këshilli Qendror Grevist i Federatës Sindikale të Shëndetësisë pas vazhdimit të grevës edhe për 48 orë, ka thënë se pas festës së Vitit të Ri, me datën 3 janar 2019, do të vazhdohet me grevë pa limit kohor deri në reflektimin e qeverisjes vendore ndaj kërkesave të punonjësve shëndetësorë.