“Mjerim dhe keqardhje”, Vlora Çitaku reagon për intervistën e mbrëmshme të Gërvallës

09:19 | 29 Shtator 2022

Nënkryetarja e PDK-së Vlora Citaku ka komentuar intervistën e mbrëmshme të kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, saktësisht pjesën ku Gërvalla pyetet rreth iniciativës së Shqipërisë për miratimin e një rezolute të re në Këshillin e Evropës lidhur me pretendimet e ngritura nga Dick Marty.

Në pyetjen e gazetarit rreth kësaj çështje, Gërvalla zgjodhi të mos bëjë asnjë koment për këtë vendim të qeverisë shqiptare, por në anën tjetër bëri komente rreth çështjeve të tjera.

Çitaku e ka quajtur “mjerim dhe keqardhje” qasjen e tillë të kryediplomates kosovare, e cila sipas nënkryetares së PDK-së as nuk mori mundin ta falënderojë Tiranën zyrtare që e ka marrë përsipër dekonstruktimin dhe demantimin me fakte të raportit famëkeq të Martyt.

Ky është statusi i plotë i Çitakut:

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, e pyetur lidhur me iniciativën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute të re në Këshillin e Evropës lidhur me pretendimet e ngritura nga Dick Marty, MInistrja Gërvalla paska deklaruar “ :Jo, një bashkërendim nuk ka pasur lidhur me këtë çështje, por ju duhet të më kuptoni që unë nuk komentoj veprimet e qeverisë shqiptare.”

Dhe më pas vijon me deklarata e cilësime për Qeverinë e Shqipërisë, për dhjetëra gjëra rreth së cilave Ministrja Gërvalla nuk pajtohet me Kryeministrin Rama.

Pra, Kosova jo që nuk po e ndihmon Shqipërinë, po as nuk po e falënderon Tiranën zyrtare që e ka marrë përsipër dekonstruktimin dhe demantimin me fakte të raportit famëkeq të Senatorit Marty.

Mjerim dhe keqardhje.

Komento: