Shumë fëmijë me lëndime të rënda nga mjetet piroteknike.
Shënimi i Viti të Ri solli edhe lëndime tek qytetarët si shkak i mënyrës së të festuarit.
Kështu tre qytetarë u plagosën nga plumbat qorr, të cilët kërkuan trajtim mjekësorë në Klinikën e Emergjencës, dy nga ta janë hospitalizuar në Klinikën e Ortopedisë.
Njëri nga ta është një 36-vjeçar nga Hajvalia, i cili për televizionin rrëfeu momentin e plagosjes në këmbë.
“Kemi dal jashtë për të shikuar edhe festuar, papritmas më është nxehë këmba, dhe e pashë që nuk po mundem me lëviz, më pas ju thashë të më dërgojnë në spital se nuk jam mirë…krisma ka pas nga të gjitha anët”, tregon i plagosuri.
Pos këtij, në Ortopedi po trajtohet edhe një 15-vjeçare nga lagjja”Arbëria”, e cila po ashtu u plagos nga plumbi qorr në kohën sa ishte duke qëndruar në ambient të jashtëm.
Të dy këta pacientë iu nënshtruan intervenimit kirurgjikë të cilëve iu larguan plumbat, teksa gjendja e tyre është stabile.
Krahas këtyre rasteve, edhe ata që festuan me mjete piroteknike pësuan goxha lëndime, kryesisht nga ta, fëmijë.
“25 raste me mjete piroteknike, dy nga ta janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, 23 të tjera janë lëshuar për në shtëpi”, deklaron, Drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
Këta dy të fundit janë pacientë-fëmijë në Kirurgjinë Plastikë. Sipas Kirurgut kujdestar janë fëmijë të moshës 6 dhe 9-vjeçare dhe me amputime të gishtërinjve.
Veçse, edhe para natës së ndërrimit të moteve, Emergjenca ka trajtuar një numër të madh të qytetarëve nga përdorimi i mjeteve shpërthyese.
Drejtuesi i Emergjencës bën të ditur se nga data 25 dhjetor deri në natën e Vitit të Ri janë trajtuar
18 raste me lëndime nga përdorimi i mjeteve piroteknike, madje njëri nga ta e kishte humbur edhe syrin.
Emergjenca përgjatë 24 orëve të fundit ka trajtuar 271 pacientë.