Mocioni i mosbesimit, opozita ka këtë kërkesë nga deputetët

13:56 | 19 May 2019

Tema për rrëzimin e Qeverisë aktuale të Kosovës vazhdon të mbetët e përfolur nga opozita.

Secili deputet pa e ndarë gjininë dhe etninë, që e përkrah mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë – derën e ka çelë – thotë deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, kur pyetet se a do t’i pranojnë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”. Beqiri thotë se kur qeveria arrin të formohet me votat e deputeteve serbë pse duhet me qene pengesë për t’u rrëzuar.

Që nga formimi i qeverisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, partitë opozitare kanë folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Mirëpo në një konferencë për media, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, gjatë ditë së djeshme u duk më serioz se kurrë, për ta rrëzuar kryeministrin Haradinajn nga pushteti. Ai përmendi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, ide kjo që po përkrahet nga partia Vetëvendosje.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, nuk i përjashton votat e deputetëve të Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë.

“Nuk po flas as për etni as për gjini të deputetëve, sekush që ka gatishmërinë me përkrah mocionin derën e ka të hapur. Pa nda etni, nëse një qeveri mund të formohet me votat e çdokujt që është deputet atëherë pse duhet me qenë pengesë opsioni për rrëzimin e qeverisë nga kushdo qoftë”, thotë Beqiri.

I pyetur nëse janë në bisedime me deputetët e komuniteteve pakicë, ai tha se nuk i kanë kontaktuar ende.

“Nuk kemi pas kontakt me përfaqësues të komuniteteve jo shqiptare, por në momentin që përgatitemi pastaj do të lëmë mundësinë e hapur”, tha Beqiri.

Shtoi se sistemi është i tillë që deputetet jo-shqiptar janë të pashmangshëm në këso procese.

Beqiri nuk e përmendi afatin kohor se kur do të bëhet kërkesa për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rrëzimin e qeverisë, por tha se në vijim do të kontaktohen edhe deputetë nga pozita. Por fillimisht do të punohet që të bëhet koordinimi mes partive opozitare, theksoi Beqiri.

“Nuk mund të them afatin kohor kur do të bëhet por fillimisht do punojmë që koordinimi me u bo mes partive opozitare”, tha ai.

Përsëriti që LDK-ja ka pasur gatishmëri edhe në të kaluarën për këtë iniciativë. Madje tha se do të intensifikohen kontaktet edhe me deputetët e PSD-së.

“LDK-ja ka pas dhe e ka gatishmërinë e plotë që sa më parë që eshtë e mundur ta finializojë mundësinë që të mblidhen nënshkrimet e të gjitha partive opozitare… Me PSD-në do të shihet mundësia me u intensifiku kontakti”

I pyetur nëse deri më tani kanë ndonjë deputet të pozitës nga koalicioni PAN që do të votonte për ta rrëzuar qeverinë, Beqiri tha se kanë bindjen që gradualisht po pjeket mendimi që është koha që Kosova duhet të shkoj në zgjedhje nacionale.

Edhe Rexhep Selimi, gjatë ditës së djedhme tha se votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme për ta çuar Ramush Haradinajn në shtëpi. Prandaj, siç u shpreh ai, fokusi duhet të jetë edhe te votat e tjera brenda koalicionit.

Ndërkohë, Lista Serbe u ka ofruar bashkëpunim partive opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Kjo mbështetje ka ardhur pas vendimit të ekzekutivit për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Partitë opozitare edhe pse kërkojnë zgjedhje të reja kanë qenë kundër rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe, por tani ky opsion nuk po përjashtohet nga LDK-ja.

Për t’u rrëzuar Qeveria duhet të sigurohen të paktën 61 vota.

Aktualisht, as Qeveria s’e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës pasi Lista Serbe është larguar nga koalicioni.

Mirëpo, Ekzekutivi po funksionon me 12 votat e Partisë së Shpend Ahmetit, i cili ka përkrahur buxhetin e dialogun.

Komento: