Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, a i ka opozita votat e mjaftueshme?

16:08 | 18 Qershor 2019

Sot është mbajtur një konferencë për media nga Lidhja Demoratike e Kosovës.

Temë kryesore e kësaj konference ishte të gjeturat e Komisionit Evropian në fushën e shëndetësisë.

Deputetët Naser Rugova dhe Haxhi Avdyli u pyetën edhe për mocionin e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj.

Në pyetjen e lajmi.net se a i ka opozita votat dhe se kur pritet që mocioni të dërgohet në Kuvend për votim, deputeti Naser Rugova tha se janë 58 nënshkrime të mbledhura.

Siç u shpreh ai, ata po e presin momentin e parë që “Qeverinë ta dërgojnë në shtëpi”.

“Sot kemi adresuar çështje të shëndetësisë. Kemi 58 nënshkrime të mbledhura dhe presim që këtë Qeveri të dobët, në minutin e parë ta dërgojmë në shtëpi”, tha Rugova.

Kujtojmë, se ditëve të kaluara ka pasur takime mes PSD-së, VV-së e LDK-së për bashkërendimin e veprimeve për rrëzimin e Qeverisë.

Tash e një kohë, zyrtarë nga këto parti kanë deklaruar se për rrëzimin e Qeverisë nuk shpresojnë në votat e Listës Serbe.

Shpresë e vetme e opozitës për rrëzimin e Qeverisë është pikërisht koalicioni qeverisës, nga ku ata presin votat e nevojitura.

Komento: