
Në kuadër të Forumit të Sigurisë së Mynihut, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Mercedes-Benz, Dennis Kinzelmann, dhe Drejtorin e Shitjeve për sektorin e mbrojtjes, Daniel Zittel.
Takimi rezultoi me nënshkrimin e një kontrate trevjeçare për furnizimin e Ministrisë së Mbrojtjes me kamionë taktikë.
“Ky partneritet strategjik dëshmon angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për ndërtimin e bashkëpunimeve të qëndrueshme me prodhues liderë ndërkombëtarë në industrinë e mbrojtjes, me synim rritjen e standardeve të sigurisë, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të flotës ushtarake dhe forcimit të kapaciteteve operacionale të ushtrisë së Kosovës.
“Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mercedes-Benz është konkretizuar përmes nënshkrimit të një kontrate trevjeçare për furnizimin me kamionë taktikë”, thuhet në njoftim.
Ky zhvillim reflekton strategjinë e Kosovës për të forcuar lidhjet me partnerë ndërkombëtarë dhe për të garantuar pajisje moderne dhe të qëndrueshme për operacionet ushtarake. /Telegrafi/