Modric refuzon ofertën prej 60 milionë euro

18:51 | 12 April 2023

Luka Modric u ka thënë drejtuesve të Real Madridit se nuk planifikon të shkojë në një klub tjetër dhe se ka refuzuar ofertën nga Arabia Saudite.

Kapiteni i kombëtares kroate ka kontratë me mbretërit deri në fund të sezonit dhe ende nuk ka marrë ofertë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për një vit tjetër.

Këtë gjë e ka njoftuar gazetari Tomas Gonzalez-Martin, i cili shton se synimi i kroatit është të pensionohet te Real Madridi.

“Modric i ka thënë Realit se dëshiron të qëndrojë edhe një vit dhe se po refuzon një ofertë të madhe nga Arabia Saudite. Ata i kanë ofruar 60 milionë euro për një kontratë dyvjeçare, por ai dëshiron të qëndrojë në Real dhe të pensionohet”.

“Agjenti i Modric u tha udhëheqësve të Realit gjatë muajve të fundit se kroati kishte një ofertë nga Arabia Saudite dhe kjo bëri që Perez dhe të tjerët të mendojnë se Modric mund të largohet nga Madridi. Tani Modric ka vendosur t’u tregojë personalisht drejtuesve të Realit, pa ndërmjetës, se ai e refuzoi ofertën nga Arabia Saudite”, ka shkruar Gonzalez-Martin.

I njëjti burim bën të ditur se 37-vjeçari Modric ka mbështetjen e familjes dhe se të gjithë duan të qëndrojnë në Madrid.

Modric është te Real Madridi që nga viti 2012 dhe thuhet se fiton rreth 10 milionë euro në vit.

Komento: