Mogerini ka zbuluar se pse një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur ende.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila është edhe ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se është e gatshme të ftojë menjëherë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel në momentin e parë që hiqet taksa. Ajo madje thotë se është e gatshme që të mbyllet në një takim pavarësisht se a do të zgjas edhe me muaj të tërë.
Në një intervistë për Gazetën Express, zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic, thotë se derisa nuk hiqet taksa, BE-ja nuk ka ndërmend të bëj ndonjë lëvizje drejt një takimi Thaçi-Vuçiq.
Zyrtarja e BE-së ka përsëritur edhe një herë kërkesën e Brukselit që urgjentisht të hiqet vendimi për taksën, me qëllim të vazhdimit të dialogut që do të dërgojë drejt një marrëveshje historike, ligjërisht të obligueshme në pajtim më të drejtën ndërkombëtare.
Sipas saj, dialogu është rruga e vetme për të ecur drejt marrëveshjes, dhe shton se këtë rrugë tashmë e ka vështirësuar vendimi i Haradinajt për taksë ndaj Serbisë e Bosnjës.
Sa i përket Platformës së Prishtinës, Maja Kocijancic ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Brukselit se nuk i komenton qëndrimet e palëve në dialog.
E pyetur se pse 2019-a po cilësohet si vit i marrëveshjes, Mogherini nuk ka pasur një sqarim, vetëm ka treguar për thirrjet e vazhdueshme që janë bërë nga të gjitha instancat e Bashkimit Evropian që të shfrytëzohet momenti i krijuar për të arritur një marrëveshje finale dhe historike ndërmjet dy shteteve.
Sipas saj duhet të vendoset paqe dhe stabilitet në rajon, prandaj një zgjidhje e problemit Kosovë-Serbi është diçka që duhet të ndodh urgjentisht, pasi një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është vonuar.
Megjithatë ndërmjetësuesja Mogherini, ka hezituar që të përgjigjet në disa prej pyetjeve të Gazetës Express.
Kocijancic nuk e ka thënë asnjë kur është pyetur rreth deklarimeve të presidentit Hashim Thaçi se do të tentojë të ndryshojë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në shërbim të idesë së tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, në kuadër të synimi të tij për korrigjim të kufijve.
Përveç kësaj BE-ja nuk ka pasur përgjigje edhe në pyetjen tjetër nëse e konsideron si lëvizje të gabueshme shkuarjen në zgjedhje të parakohshme pa e hequr vendimin për taksën.
Vlenë të theksohet se Gazeta Express disa nga pyetjet ia ka drejtuar përfaqësueses së zyrës së BE-së në Kosovës, Natalya Apostolova, por për shkak të natyrës së tyre, nga kjo zyrë është thënë që për to më mirë të përgjigjet Federica Mogherini.
Gazeta Express: Si përfaqësuese e Zyrës së BE-së në Kosovë, a pranoni të ftoni ndonjë takim me liderët e shtetit, për të diskutuar rreth situatës aktuale politike, me qëllim të zhbllokimit të saj?
Gazeta Express: Krerët e institucioneve, më saktësisht kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë që është i gatshëm menjëherë t’iu kthehet bisedimeve të Brukselit, megjithatë sipas tij Serbia është duke e penguar vazhdimin e dialogut, duke thënë se nuk kthehet në dialog pa e pezulluar taksën. Sipas Haradinajt, këto dy gjëra nuk kanë ndërlidhje mes vete (taksa dhe dialogu). Ju znj. Apostolova duke parë këtë, a mendoni që Serbia po e shfrytëzon këtë situatë për të parandaluar vazhdimin e dialogut. Pasi që taksa është vendosur si një kundërpërgjigje ndaj agresionit të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe ju nuk keni bërë asnjëherë presion ndaj Serbisë për të ndalur fushatën e egër kundër shtetësisë së Kosovës, siç po i bëni tani presion Kosovës për taksën ?
Maja Kocijancic: Sa i përket zhvillimeve të fundit: Bashkimi Evropian ka parë që kuvendi i ka miratuar Ligjin për Dialogun dhe Platformën për Dialogun. Si ndërmjetës, Bashkimi Evropian nuk jep komente për qëndrime individuale të palëve në dialog. Negociatat janë mënyra e vetme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Bashkimi Evropian rithekson që dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara dhe ai është në interesin e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi dhe për rajonin në tërësi.
Vendimi i autoriteteve të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar për të vendosur taksa për mallrat e importuara nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia nuk ka ndihmuar për ta krijuar mjedisin e nevojshëm që dialogu të vazhdojë. Ashtu siç është përsëritur nga BE-ja, SHBA-ja dhe të tjerët, ne e ritheksojmë thirrjen tonë ndaj qeverisë së Kosovës për ta pezulluar menjëherë këtë taksë në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i menjëhershëm i dialogut.
Gazeta Express: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë që në zemër të marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke [Serbia të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës]. A është edhe ky qëllimi i BE-së, si ndërmjetësues i dialogut?
Maja Kocijancic: Fokusi ynë është puna e vazhdueshme brenda dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë/zënvendëspresidentja e BE-së dhe i cili pritet të intensifikohet pas pezullimit të taksës.Puna po vazhdon për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që do ta siguronte një zgjidhje afatgjate për çështjet më të rëndësishme – një zgjidhje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe reale, e cila mbështetet në marrëveshje të dyanshme, që është në vijë me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane dhe e cila është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së dhe rajonin. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura është urgjente dhe jetike për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar në rrugën e tyre evropiane dhe për stabilitetin e paqen në rajon.
Gazeta Express: Të gjithë në Bashkimin Evropian po e thonë se viti 2019 është momentum për arritjen e një marrëveshje finale, dhe një moment I tillë duhet shfrytëzohet, megjithatë askush nuk e jep të paktën një arsye se pse viti 2019 po konsiderohet viti i një marrëveshje finale.Cili është shpjegimi juaj për këtë ?
Maja Kocijancic: Status quo-ja nuk është opsion as për Serbinë, as për Kosovën. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në fakt është vonuar. Presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesja e lartë, komisioneri Hahn, Komisioni si tërësi dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur përmes shumë instancave mbështetjen e tyre për arritjen e një marrëveshjeje. Ne i inkurajojmë palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë përmes arritjes së një marrëveshjeje historike. Marrëveshja ligjërisht e obligueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve lidhur me të gjitha çështjet e hapura është në dobi të popujve dhe do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe do të jetë ndihmë për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar drejt BE-së, për këtë arsye ajo është jetike dhe urgjente.
Pyetjet në vazhdim i janë dërguar drejtpërdrejtë zyrës së Mogherinit:
Gazeta Express: A konsideroni se shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa e pezulluar taksën mund të jetë një gabim i madh që mund ta mbaj dialogun të bllokuar edhe për dy apo tre muaj?
Gazeta Express: Cila është thirrja e BE-së për partitë politike në Kosovë?
Gazeta Express: A jeni duke menduar ndonjë alternativë që Serbia t’i kthehet dialogut pa e hequr Kosova vendimin për taksën ?
Maja Kocijancic: Porosia jonë është e qartë: Status quo-ja nuk është opsion as për Serbinë, as për Kosovën. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në fakt është vonuar. Presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesja e lartë, komisioneri Hahn, Komisioni si tërësi dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur përmes shumë instancave mbështetjen e tyre për arritjen e një marrëveshjeje. Ne i inkurajojmë palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë përmes arritjes së një marrëveshjeje historike.
Siç ka thënë përfaqësuesja e lartë/zëvendës presidentja e BE-së, Mogherini, në Këshillin për Punë të Jashtme në muajin shkurt, rundet e dialogut nuk “ndodhin”. Unë i mbledh ata, por nuk do t’i mblidhja për një seancë tjetër të dialogut deri të plotësohen kushtet. Që të plotësohen kushtet, pres që autoritetet e Kosovës ta tërheqin, ta pezullojnë ose ta anulojnë vendimin për taksë 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina. Deri atëherë, nuk shoh që ka kushte për një rund të ri dhe të suksesshëm të bisedimeve në dialog.
Duke e pasur parasysh këtë, në çastin që kushtet të plotësohen, jam e gatshme që jo vetëm ta thërras një takim të nivelit të lartë në dialog mëngjesin e ardhshëm, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa është e nevojshme, qoftë një javë, një muaj ose tre muaj. Jam e sigurt se mund të përfitojmë në mënyrë të dobishme nga një mjedis pozitiv, nëse arrihet diçka e tillë, për ta arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Sidoqoftë, unë pres që të plotësohen kushtet e duhura dhe se deri tash nuk kam parë lëvizje në këtë drejtim.
Gazeta Express: Dhe një pyetje shtesë: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë hapur se dëshiron të ndryshojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për shkak të idesë së tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Është saktësisht pika 3 e Nenit 1 të Kushtetuës së Republikës së Kosovës, që thotë se Kosova nuk ka pretendime territorial, e as për t’iu bashkuar ndonjë shteti tjetër.
“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”
A e konsideroni ndryshimin e kësaj pike të Kushtetutës si një veprim të rrezikshëm që do të bëjë Kosovën një shtet që edhe përmes Kushtetutës tregon se ka pretendimet territorial ndaj shteteve të tjera ?
Maja Kocijancic: Fokusi ynë është puna e vazhdueshme brenda dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë/zënvendëspresidentja e BE-së dhe i cili duhet të intensifikohet pas pezullimit të taksës. Lexoni çfarë ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së më 18 shkurt në Këshillim për Punë të Jashtme: EU High Representative said on the 18/02 Foreign Affairs Council
Puna po vazhdon për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që do ta siguronin një zgjidhje afatgjate për çështjet më të rëndësishme – një zgjidhje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe reale, e cila mbështetet në marrëveshje të dyanshme dhe që është në vijë me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane dhe e cila është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së.
Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ligërisht e obligueshme për normalizim të marrëdhënieve për të gjitha çështjet e hapura është.