Një përleshje në mes të Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit ka ndodhur mbrëmë.
Kandidati i AAK-PSD-së Dardan Molliqaj e ka bërë postimin e dytë pas debatit të mbrëmshëm pas të cilit është përfshirë në një incident me Haki Abazin, i cili ka thënë se është sulmuar nga ish –sekretari i VV-së.
Edhe pse i akuzuar për sulm, Molliqaj ka thënë se nga mbrëmë ka marrë mbështetje nga shumë njerëz ndërkohë që e ka prerë debatin në T7 për ta treguar “triumfin” ndaj Haki Abazit. Të dy protagonistët janë marrë në pyetje nga prokuroria ndërkohë që policia rastin e ka kualifikuar si sulm.
Më poshtë mund ta shihni të plotë postimin e Molliqajt ku thotë se “po konfirmohet gjithandej fitorja e padiskutueshme e Koalicionit të Fitores”
Gjithandej po konfirmohet fitorja e padiskutueshme e Koalicionit të Fitores. Me mobilizim në teren, e me paraqitje mediale e debatuese. Ju falenderoj përzemërsisht juve qindra qytetarëve të këtij vendi që më keni shkruajtur e mbështetur prej mbrëmë deri sot.
Mosguximi i disave për të marrë pjesë në debate; mungesa e argumenteve dhe fakteve; stërkeqja ideologjike dhe konceptuale; i ka çuar ata në rrugën qorre të vajtimit dhe ankesave. Më vjen keq që këto “prurjet” e reja – që janë mashtrues të vjetër – po pranojnë me kaq lehtësi të bëhen mish për top, në mbrojtje të figurave të vjetra që nuk po guxojnë të dalin në debate. AS NJË DEBAT TË VETËM nuk e fituan. Sepse nuk kanë argumente e nuk kanë as guxim.