Molliqaj pas aksionit në veri: Shënjuesi më i qartë politik e diskursiv është Ura e Ibrit

18:21 | 19 Shtator 2024
molliqaj-pas-aksionit-ne-veri:-shenjuesi-me-i-qarte-politik-e-diskursiv-eshte-ura-e-ibrit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka dalë me një shkrim pas aksionit simbolik te ura e Ibrit në Mitrovicë.

Në rrjetin social “Facebook”, ai ka thënë:

“Për më shumë se 3 vite u tha që veriu është problem i krimit; sipas pushtetit, kriminelët u hoqën. U tha që veriu është problem i institucioneve paralele që po funksionojnë atje; sipas pushtetit, ato dita-ditës po mbyllen”.

Sipas tij, pasoja e këtyre veprimeve është e kundërta e integrimit e progresit.

“Pasoja e këtyre veprimeve është e kundërta e integrimit e progresit. Ndarja etnike u thellua si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë. Në tē njëjtën kohë, Kosova s’ka qenë kurrë më e izoluar ndërkombëtarisht. Veprimet në veri janë katalizator i autonomisë substanciale atje, ose i izolimit të plotë të Kosovës. Ky udhëkryq është rezultati i gati 4 viteve qeverisje të Kurtit.” – ka shkruar Molliqaj.

“Shënjuesi më i qartë politik e diskursiv është Ura e Ibrit. U tha që hapet sepse është çështje e sovranitetit të Kosovës e jo temë e agjendës së dialogut. Ku është hapja? Ku mbeti sovraniteti? Ai po shkërmoqet tani para këmbëve të KFOR-it. Sovraniteti do duhej të ishte fjala e fundit e jo mjet i përdorshëm që hidhet tutje në rezistencën e parë. Për ashtu, sovraniteti s’ka potencë përveç oportunizmit elektoral.” – ka thënë tutje ai.

Komento: