Monitorimi elektronik i dhun’uesve i nevojshëm, por i vonuar

18:08 | 10 Dhjetor 2024
monitorimi-elektronik-i-dhun’uesve-i-nevojshem,-por-i-vonuar

Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave, i miratuar në vitin 2015, ka nisur të zbatohet në praktikë në vendin tonë pas një dekade.

Që nga sot, personat që kanë kufizime lëvizjeje me vendim të gjykatës do të monitorohen përmes gjurmuesve elektronikë të vendosur në dorë ose këmbë.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të këtij sistemi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ky mekanizëm do të ndihmojë në reduktimin e dhunës në familje dhe do të mundësojë një mbikëqyrje më efektive të individëve të tillë.

Sipas tij, përdorimi i këtyre pajisjeve synon të rrisë sigurinë, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sqaroi se ekipet e posaçme tashmë janë të përgatitura për implementimin e sistemit, i cili do të sigurojë monitorim të drejtpërdrejtë të personave nën mbikëqyrje.

E në anën tjetër njohësit e sistemit të drejtësisë e vlerësojnë këtë hap si një zhvillim të domosdoshëm, megjithëse të vonuar, për të përforcuar masat kundër dhunës dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt për qytetarët.

Juristi Hoxha për lansimin e sistemit të hallkave: Më mirë vonë se kurrë

Juristi Valdet Hoxha ka komentuar lansimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e tij për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Ai ka theksuar se pajisja me hallka elektronike për dhunuesit është një masë parandaluese shumë efikase, por ka theksuar se ky proces duhet të jetë vetëm një pjesë e një sistemi më të gjerë dhe të mirë menaxhuar.

‘’Pajisja me këto hallka  po besoj se do të jetë shumë efikas në parandalimin në radhë të parë të rasteve të dhunës në familje, por qëllimi dhe synimi në radhë të parë është zvogëlimi I rasteve të dhunës në familje, por nuk duhet lënë anash edhe funksionimin e sistemit sepse nuk mjafton vetëm pajisja me të cilët do të pajisen të dyshuarit për dhunë në familje, por duhet të funksionojë sistemi zingjiror, pra monitorimi’’, tha Hoxha Për Front Online.

Sipas tij, hallkat elektronike janë të nevojshme për të monitoruar dhunuesit dhe për të siguruar ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve, por nuk mjafton vetëm pajisja me to.

Ai më tutje tregon se duhet të funksionojë një sistem i plotë i monitorimit dhe menaxhimit të këtyre pajisjeve për të garantuar suksesin afatgjatë të këtij projekti.

Ai ka tërhequr vëmendjen për përvojat e mëparshme, kur pajisjet të ngjashme janë lënë pas dore për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe funksionimit të duhur të sistemeve.

‘’Pajisja me të cilët do të pajisen të dyshuarit për dhunë në familje është shumë e mirë  por duhet të funksionojë sistemi zingjiror  pra monitorimi sepse nuk është hera e par që shumë pajisje të dhëna me donacion por edhe të blera nga institucionet e Kosovës në mungesë të mirëmbajtjes e funksionimit të sistemit kanë dalë nga përdorimi dhe nuk përdoren më’’, tha Hoxha.

Ai më tutje tha se duhet të behën investime në këtë drejtim për mirëmbajtje të sistemit që të funksionoj si duhet 100 %.

Sociologia Ademi: Monitorimi do të ul rastet e dhunës në familje

Sociologia Makfirete Ademi tregon se vitet e fundit ka pasur rritje te dukshme të rasteve të dhunës në familje. Madje ajo tregon se ka pasur raste kur edhe pas ndjekjes penale të autorëve të dhunës, viktimat kanë vazhduar të ndihen të kërcënuara. Ajo e vlerësoi lansimin e sistemit të hallkave për mbikëqyrje elektronike si një mjet të rëndësishëm preventiv për sigurinë e viktimave dhe për parandalimin e përsëritjes së dhunës.

‘Lansimi i sistemit të hallkave për mbikëqyrje elektronike rrjedhimisht ligji për vendosjen e byzylykëve elektronik ne këmbë ose ne dorë është një preventivë për sigurinë e viktimave dhe mos përsëritjen e dhunës’’, tha Ademi.

Sociologia theksoi se hallkat për mbikëqyrje elektronike do të shërbejnë për ndërhyrjen e shpejtë të policisë në rastet e dhunës dhe si indikatorë për parandalimin e dhunës.

Ajo shtoi se, megjithëse ky ligj dhe sistem janë vonuar në implementim, ata do të kenë një ndikim të rëndësishëm në uljen e rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Hallkat për mbikëqyrje elektronike do nevojiten pikërisht për ndërhyrjen e policisë ne rastet e dhunës dhe do jene indikator për parandalimin e dhunës’’, përfundoi Ademi. / Front Online /

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komento: