
Morata tregon kërcënimet nga tifozët.
Sulmuesi i Spanjës Alvaro Morata ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të gafave të tij në sfidat e Euro 2020. “Furia e kuqe” vuajti në sigurimin e kualifikimit dhe stresi i tifozëve u zbras jo vetëm te lojtari, por edhe te bashkëshortja dhe fëmijët.
Alvaro Morata ka treguar se tifozët spanjollë kanë qenë të pamëshirshëm ndaj tij dhe familjes, duke e mallkuar për paraqitjen negative që ai pati me Spanjën gjatë tri ndeshjeve të fazës së grupeve.
Sulmuesi i Juves ka kritikuar fansat, të cilët kanë kërcënuar atë dhe familjen, duke e stresuar shumë, aq sa ai e ka pasur të vështirë që të flejë natën.
Morata zhgënjeu në takimet e para ndaj Suedisë dhe Polonisë, ndërkohë që ai humbi edhe një penallti kundër Sllovakisë.
“Ndoshta nuk e kam bërë punën si duhet. E kuptoj se po kritikohem, sepse nuk kam shënuar një gol, por uroj që njerëzit ta vendosin veten në vendin tim e të shikojnë si ndihesh kur merr kërcënime. Kam marrë mesazhe që më thonë se fëmijët e mi duhet të vdesin. Çfarë më shqetëson është se ata u dërgojnë mesazhe edhe gruas, edhe fëmijëve të mi”, është shprehur Alvaro Morata.
Lojtari 28-vjeçar ishte kritikuar që para nisjes së Evropianit.
Presioni ka qenë i madh ndaj tij. Morata bëri gabime në secilën nga sfidat e fazës së grupeve e kjo i acaroi më shumë tifozët.
“Furia e kuqe” do të luajë në 1/8 kundër Kroacisë. Sulmuesi i Juves do të ketë shansin që të largojë të gjitha kritikat.