Moreno refuzon Kosovës, shumë shpejt do të nënshkruajë me klubin rus

14:37 | 14 Dhjetor 2023

Robert Moreno pritet të bëhet trajner i ri i klubit rus, Sochi.

Trajneri spanjoll së fundmi e pati një takim me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me të cilin bisedoi për mundësinë që ta marrë në dorë Kombëtaren e Kosovës.

Por, mediumi spanjoll “AS” raporton se Moreno pritet që shumë shpejt të emërohet trajner i klubit rus, duke i lënë kështu anash opsionet që i kishte që të bëhej selektor i Kosovës ose trajner i klubit turk, Adana Demirspor.

Sipas “AS”, ish-selektori i përkohshëm i Spanjës do ta zgjedhë projektin e Sochit pavarësisht se ky ekip është në fund të ligës elitare ruse.

Pronarët e klubit janë të gatshëm ta zhvillojnë një projekt ambicioz me Robert Morenon në krye. Ai pritet të emërohet si trajneri i katërt i Sochit në këtë sezon pas Jojlov, Tochilin dhe Kliuyev.

Sochi është në pronësi të Boris Rotenberg, njëri nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në Rusi.

Tash, FFK-ja duhet të ndjek pista të tjera për pasuesin e Primoz Glihas pasi sipas të gjitha gjasave, pista Moreno ka dështuar. /Gazeta Express

Komento: