Mos akreditimi i universiteteve, vjen edhe reagimi i BE-së

19:06 | 16 Korrik 2019

Nuk janë akredituar tri universitete publike dhe katër të tjera private.

Lidhur mbi vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për heqjen e akreditimit të tre universiteteve publike dhe katër kolegjeve private ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka përkrahur vendimin e agjencisë për Akreditim.

“Arsimi është prioritet i BE-së për Kosovën. Përmirësimi i arsimit në Kosovë është absolutisht i domosdoshëm”.

“Më 15 korrik, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (SQC), ka marrë vendimin për të ndaluar akreditimin e tre universiteteve publike dhe katër kolegjeve private. Ky vendim do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për vitin e ardhshëm akademik. Ne kuptojmë se këto universitete do të vazhdojnë të funksionojnë dhe që studentët e regjistruar tashmë do të vazhdojnë pa ndërprerje me vitin e ardhshëm akademik.”

BE-ja mbështet fuqishëm rolin dhe pavarësinë e agjencisë së akreditimit në Kosovë.
“Ky vendim ishte i vështirë, por i drejtë dhe në përputhje me mandatin e Agjencisë për të siguruar arsimin më cilësor. BE mbështet fuqishëm rolin dhe pavarësinë e agjencisë së akreditimit të Kosovës. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë aktorët e interesuar, në veçanti në nivel politik. Ajo që është në rrezik është qëllimi i arritjes së një kualiteti më të lartë të arsimit të lartë për të gjithë studentët në Kosovë. Ky vendim me shpresë do të hapë rrugën për këto universitete për të përmirësuar cilësinë e performancës së tyre dhe shërbimet e tyre për studentët”, thotë BE.

ME pas, në reagim thuhet se BE-ja është angazhuar për shumë vite në një arsimim më cilësor dhe do të vazhdojë mbështetjen e saj për Kosovën në të ardhmen.

Kujtojmë se KShC në mbledhjen e 74-t vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020. Me këtë vendim Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Komento: