“Mos bëni zhurmë”, si nisi sherri fatal në Ksamil – Punonjësi i lokalit: Th’ikën e kishte turisti portugez

20:46 | 19 Gusht 2026

Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçari me shtetësi portugeze, por me banim në Francë, mbeti i vrarë në Ksamil, duke u gdhirë e marta e 18 gushtit. Në Shqipëri, kishte mbërritur vetëm dy ditë para se t’i merrej jeta, më 16 gusht, bashkë me 8 miq të tij nga Franca, shumica bashkëmoshatarë.

Me ta do të kalonte disa ditë pushimi në një nga zonat më të bukura bregdetare në jugun e Shqipërisë dhe më 26 gusht siç Report Tv mëson, do të udhëtonin drejt Spanjës, sërish për pushime.

Mbrëmjen e 17 gushtit miqtë iu bashkuan një feste me Dj francezë në klubin e kompleksit luksoz në Ksamil, “Principote”. Pas orëve të tëra mes muzikës e festës, të rinjtë dolën nga klubi me batuta mes njëri-tjetrit. 3 francezë të tjerë jashtë grupit të tyre, ndoshta nën efektin e alkoolit, ndërhynë duke u thënë, se nëse kanë ndërmend të debatojnë, të zihen me grushte, ose ndryshe të largohen.

Në mesin e kësaj situate disi të tensionuar me tone të ngritura, burime policore thanë për Report Tv, se në skenë hynë punonjësit e “Principote”, pritësit e turistëve (hostess) Davidi Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanik dhe Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, të dy 29-vjeçarë. Ata u kërkuan grupeve të turistëve të ulnin zërin dhe të mos bënin zhurmë dhe i ofenduan.

I pari që goditi në kokë portugezin ishte Davidi Heurtevent, i shpallur në kërkim policor. Më tej, Sokrat Vata, e goditi me thikë 20-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje, në një shezlong në plazhin fare ngjitur me klubin e natës së “Principotes”.

Sokrat Vata u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e makinës së një çifti turk, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilëve siç burimet thonë, mund t’i ketë ofruar edhe para për ta çuar drejt Tiranës. Me ta kishte krijuar njohje pasi ishin klientë të rregullt në kompleksin turistik në Ksamil.

Gjatë marrjes në pyetje, Sokrat Vata pranoi se sherri nisi për zhurmën por pretendoi se thikën e kishte portugezi, të cilit ia mori nga dora dhe më pas e goditi.

4 kamerierë, të cilët u arrestuan, ndërhynë në sherr kur panë të përfshirë dy punonjësit e tjerë të kompleksit, por janë larguar prej aty përpara se i riu të goditej me thikë. Miqtë francezë treguan me detaje në polici të gjithë situatën.

4 truproja të kompleksit në Ksamil u arrestuan dhe pezulluan nga detyra, Miosid Matushaj, oficer policie ne Gjirokastër, Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit, Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër dhe Kristi Koshi. Ata nuk ndërhynë për të parandaluar ngjarjen, dhe as njoftuan policinë.

Në ambientet e lokalit, në momentin e ngjarjes, ndodhej edhe pronari Bekim Bulica, i cili është larguar pa e kallëzuar krimin në polici.

Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.

Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.

Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.

Serxhi Selimi – kamerier në lokal.

Ervis Bunci – kamerier në lokal.

Ildi Cekani – kamerier në lokal.

Murat Zhabina – kamerier në lokal.

Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.

Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.

Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.

Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.

David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.

Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.

Komento: