
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se diaspora ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e shtetit të Kosovës.
Përmes një video-mesazhi drejtuar mërgatës, Hamza ka shprehur mirënjohjen për kontributin e diasporës ndër vite, duke thënë se “Kosova nuk do të ishte kjo që është sot” pa mbështetjen e tyre në periudhat më të vështira për vendin.
Ai ka kujtuar rolin e bashkatdhetarëve në mbështetjen e familjeve, ekonomisë dhe kauzës së Kosovës në botë, duke theksuar se diaspora meriton “respekt dhe mirënjohje të përhershme, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por çdo ditë”.
Hamza njoftoi se afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora tashmë është hapur dhe do të zgjasë deri më 17 maj, ndërsa i ftoi të gjithë bashkatdhetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes për Kosovën.
“Mos lejoni që të tjerët të vendosin për ju. Mos u mashtroni nga propaganda dhe fjalët boshe që u janë përsëritur që katër palë zgjedhje radhazi. Dhe mbi të gjitha, mos e lejoni askënd të na ndajë. Sepse nuk ka ‘ne’ dhe ‘ju’. Ka vetëm ne. Dhe ne jemi një”, thuhet në mesazhin e Hamzës.
Sipas tij, asnjë shtet nuk është zhvilluar nga përçarja, por nga bashkimi, puna e përbashkët dhe besimi tek njëri-tjetri.
Në fund të mesazhit, kreu i PDK-së bëri thirrje që diaspora të regjistrohet deri më 17 maj dhe të kontribuojë në ndryshimin që, sipas tij, i duhet Kosovës.